Ish sigurimsat/ PS s'vonon, dorëzon dy nisma ligjore për të ndryshuar ligjin e dosjeve dhe Kodin Zgjedhor
Edhe pse në gusht kuvendi do të jetë me pushime, Partia Socialiste nuk ka vonuar të vihet në lëvizje pas pretendimit të Autoritetit të Dosjeve ish presidenti Ilir Meta ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit.
Prezantimin e ndryshimeve që kërkohen në Kodin Zgjedhor dhe ligjin për të Drejtën e Informimit për Dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit e ka bërë sot Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka.
Bushka nuk foli me emra të veçantë, por adresoi dhe mbi çbazë u nis propozimi.
Klotilda Bushka:"Nisur nga shkresa e Autoritetit për Informim mbi Dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) drejtuar Kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë më date 26.07.2022 lidhur me shqetësimet mbi pastërtinë e figurës së personave të zgjedhur apo të emëruar, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste të Shqipërisë ka vendosur të depozitojë sot pranë Kuvendit nismat ligjore për ndryshime të Ligjit funksional nr 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentat e ish Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialistë të Shqipërisë” të ndryshuar si dhe të Ligjit nr. 10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar .
Rastet flagrante dhe shqetësuese të pasqyruara në shkresën informuese të Autoritetit drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ku figura të rëndësishme të shtetit të pajisur me Çertifikatën e pastërtisë së figurës në fakt rezultojnë në dokumentat e krijuara të ish-Sigurimit të Shtetit, kërkojnë një adresim dhe reagim të menjëhershëm.
Transparencë e plotë për këto raste duhet të kryhet dhe pengesat apo boshllëqet në legjislacionin ekzistues duhet të adresohen me qëllim zbardhjen e të vërtetës sipas vlerave demokratike të drejtësisë si përgjegjësi për brezat e ardhshëm por mbi të gjitha detyrim për ata që vuajtën nën regjimin e kaluar"
Dy nismat ligjore socialiste tha deputetja socialiste "konsistojnë në krijimin e shtratit ligjor për verifikimin e subjekteve pavarësisht nëse kanë ose jo një çertifikatë të mëparshme pastërtie nën dritën e fakteve dhe të vërtetës si dhe për verifikimin e të gjitha subjekteve që zgjidhen apo emërohen në poste publike mbi pastërtinë e figurës së tyre"
"Pikërisht për t’u sigururuar që historia të mos përsëritet dhe arritjen e paqes sociale duhet që bashkëpunëtorët e sistemit të mëparshëm të mos të kenë mundësi të jenë pjesë e vendimarrjes i çfarëdo niveli qoftë ai" tha Bushka ne një prononcim për median.
Me të njëjtën urgjencë ka vepruar edhe grupi parlamentar i PD më në krye Enkelejd Alibeaj pasi në nismën e tyre ligjore synojnë që të marrin votat e PS për të deklasifikuar sekretet shtetërore të periudhës komuniste.
