Tomorri “shtëpia” e kafshëve të egra/ Kaprojtë, dhia e egër, ariu i murrmë “lozin” lirshëm në parkun kombëtar
Parku Kombëtar në malin e Tomorrit është shndërruar prej vitesh në shtëpinë e shumë kafshëve të egra. "Kamerat kurth" në Tomorr e Balloll kanë filmuar kafshë si: ariu i murrmë, kaprolli, dhia e egër etj. Prani e shtuar edhe e shpendëve të egra në Berat e Skrapar.
Kaprollë, Dhi të egra, arinj. Por nuk mungojnë as ujku, dhelpra, baldosa, derri i egër, apo lepuri i egër.
Këto pamje janë filmuar në Malin e Tomorrit.
Monitorimi i faunës ka evidentuar shtimin e kafshëve të egra në parkun Kombëtar.
Kamerat kurth kanë ndihmuar specialistët të bëjnë edhe një hartë me zonat ku kryesisht qëndrojnë kafshët.
"Dhia e egër ka dy habitate të qëndrueshme, janë dy tufa tësaj. Një është në pjesën veriore të majës së Tomorrit dhe tufa tjetër është në pjesën jugore," tha Fatos Nako, Drejtori i ADZM Berat.
Të dhënat tregojnë për një shtim të kafshëve të egra në 28 mijë hektarët e malit të Tomorrit.
"Është kapur një arushë me tre këlushë në zonën mbi Gjelpës, afër majës jugore. Janë kapur dhe shenja të tjera të arit në zonën e Ballollit, këto kohë që është qetë dhe gjen ushqim," tha ai.
Sipas ekspertëve, shtimi i kafshëve të egra është një prej efekteve pozitive të moratoriumit të Gjuetisë që qeveria ka vendosur të vijojë.