Përplasja PS - LSI për zgjedhje, kërkohet 1 vit burg për kandidatin për deputet, Joka denoncon: "Ma bëri Alqi Bllako"

Përplasjet elektorale mes PS dhe LSI në Tiranë dolën në pah në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion gjatë procesit ndaj ish kanditatit për deputet Etjon Joka. Avokati tha se klienti i tij u arrestua pasi PS infiltroi brenda stafit personin që regjistroi me celular kundrejt shpërblimit momentin e dorëzimit të parave. Sipas tij personat e përfshirë në këtë inskenim janë punësuar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Bashkinë e Tiranës

Prokuroria e Posaçme SPAK, kërkoi një vit burg për kandidatin për deputet të LSI në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Etjon Joka, i cili u filmua teksa jepte para në këmbim të shtitblerjes së votave.

SPAK kërkoi po ashtu 1 vit heqje lirie edhe për shtetasin Elis Babo që kishte kryer filmimin e momentit të ofrimit të parave nga Joka.

Pas pretencës së prokurorisë, gjykata i dha fjalën ish-kandidatit për deputet dhe avokatit të tij për konkluzionet e mbrojtjes.

Avokati deklaroi se gjithçka ka qene e stisur nga kundërshtarët politikë të klientit të tij Etjon Joka, si kandidat i LSI dhe konkretisht Alqi Bllako, ish deputeti i PS tashmë i arrestuar për Incineratoret.

Avokati i Jokës pretendoi më tej se video e momentit të dorëzimit të parave dhe telefoni që ka bërë filmimin lidhen me kundershtarët e Jokës në zgjedhje.

Avokati u të pandehurit ka paraqitur në gjykatë një mesazh të dërguar nga një drejtor i bashkisë së Tiranës që u shkruante Etion Jokës “nuk e prisja këtë nga ty”, pasi ai vendosi të kandidonte për LSI-në.

Po kështu sipas avokatit, personat e përfshirë në regjistrimin filmik të momentit të dhënies së 100 dollarëve për votën, kanë përfituar punësimin e të afërmve të tyre në Minitrinë e Shëndetësisë.

Në konkluzionet e avokatit, thuhet se personi që kreu regjistrimin, Elis Babo, ka kërkuar shpërblim në një bisedë me një person të pa identifikuar të cilit i thotë “tani që e bëra pjesën time, tashti të takon ty, mos me thuaj jo mbledhja, jo Ogerta, ose ose e di si është ky muhabet. Telefonin do e marrësh kur të sjellësh ato."

Avokati evidentoi faktin se në momentin e arrestimit, personit që regjistroi aktin e ofrimit të parave i janë sekuestruar me vete 50 mijë lekë edhe pse ishte i papunë dhe në kushte të vështira ekonomike.

Por i pandehuri tjetër në këtë proces, Elis Babo nëpërmjet avokatit të tij pretendoi se e ka bërë filmimin për të denoncuar korrupsionin në zgjedhje.