Tiranë/ Kishte mbushur shtëpinë me medikamente kontrabandë dhe i shiste nën dorë
Një 52 vjeçar është arrestuar pasi në banesën e tij janë gjetur sasi e konsiderueshme medikamentesh mjekësore të dyshuara të kontrabanduara.
Ndalimi është bërë në momentin kur 52 vjeçari po I shiste medikamentet një gruaje në rrugën "Medar Shtylla" në Tiranë.
Më pas kanë vijuar me kontrollin e ushtruar në banesën e shtetasit I. M., në Komunën e Parisit, ku shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore, pa pullën fiskale nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.
Si rezultat i operacionit të koduar “Medicines” u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
I. M., 52 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale "Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë", "Ruajtja apo depozitimi i mallrave që janë kontrabandë" dhe "Fshehja e të ardhurave".
Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasja M. G., 47 vjeçe, banuese në Tiranë e cila bleu medikamentet e dyshuara të kontrabanduara.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan medikamente të ndryshme mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, dhe një shumë parash.
