Për herë të parë gjimnaz për nxënësit që nuk dëgjojnë, Kushi: Fokusi në Teknologji dhe TIK
Prej shtatorit nxënësit që nuk dëgjojnë do të kenë mundësi të ndjekin shkollën e mesme.
Për të parën herë Shqipëria do të ketë një gjimnaz për këtë kategori nxënësish.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, njoftoi përmes rrjeteve sociale se shkolla e mesme do të jetë e orientuar në fushën e të nxënit Teknologji dhe TIK.
Ky vendim, shprehet ajo, erdhi pas kërkesave të shumta të prindërve dhe mësuesve.
“Të gjithë nxënësit që mbarojnë klasën e nëntë në Institutin e Fëmijëve që nuk Dëgjojnë nuk do të qëndrojnë më në shtëpi, por do të kenë mundësi të vijojnë studimet dhe të fitojnë një profesion, për t'u bërë më të aftë për jetën e tyre, për t'u integruar dhe për të dhënë më shumë kontribut në shoqëri" u shpreh Ministrja Kushi.
Këtë vit të ri shkollor mësohet se do të hapen 2 klasa dhe parashikohen të regjistrohen rreth 25 nxënës.
Në Shqipëri sipas të dhënave të INSTAT janë rreth 6 mijë persona të cilët nuk mund të flasin e dëgjojnë.

