GJKKO nuk i heq arrestin gjyqtares, Zamira Vyshka mohon akuzën: Nuk kam kryer asnjë korrupsion

Këto janë momentet kur gjyqtarja e Elbasanit, Zamira Vyshka, është sjellë e shoqëruar nga efektivë të forcave Shqiponja në Gjykatën e Posaçme për verifikimin e masës së sigurisë.

GJKKO ka vendosur të lërë në fuqi masat "arrest shtëpie" për gjyqtaren dhe "arrest me burg" për avokatin Ilir Pashai të dhëna më herët.

Në burg është lënë dhe Taulant Ramollari, një prej familjarëve së bashku me Xhulio Musain. Ndërsa i arrestuari tjetër Andrea Tirana, një prej familjarëve të tjerë të Xhulio Musait, është lënë në "arrest shtëpie".

Gjyqtarja tha në seancë se nuk ka kryer asnjë korrupsion. Të njëjtën gjë e pretendoi dhe pas daljes nga gjykata. Edhe avokati Ndue Pjetra pretendoi se prokuroria nuk ka prova për akuzat ndaj gjyqtares.

"Të gjithë në sallë deklaruan se as nuk e njohim dhe as nuk kemi lidhje me gjyqtaren dhe as kemi folur ndonjëherë. Me datën 9 që kanë qenë bisedat e tyre nuk rezulton asgjë që të jetë e implikuar gjyqtarja. Ka marrë vendimin gjykata, më vonë ky vendim ka shkuar në Apel. Apeli e ka lënë në fuqi."

Arrestimet erdhën pasi përgjimet dhe vëzhdimet e Prokurorisë së Posaçme nxorën zbuluar gjyqtaren dhe avokatin Ilir Pashai.

Bëhet fjalë për të pandehurin Xhulio Musai, i akuzuar për plagosje, i cili kërkoi ulje dënimi me 6 muaj burg duke ofruar shumë 200 mijë lekë me negociator avokatin Ilir Pashai.

Por gjyqtarja kishte kërkuar dyfishin, 400 mijë lekë.

Ata ishin të gatshëm të jepnin paratë e kërkuara për të lehtësuar dënimin e Xhulio Musait, por me fryrjen e shumës nga gjyqtarja familjarët nuk kishin pranuar.