Atentati në Milot/ Gazetari: Autorët kishin siguruar plumba blindshpues, e dinin mjetin që udhëtonte shënjestra e tyre
Gazetari Elton Qyno ka dhënë detaje në lidhje me atentatin e mbrëmjes së djeshme (22 Korrik) në Milot, ku mbeti i vrarë Klisman Preçi, ndërsa u plagos Ylli Brahimi.
Në një intervistë për RTV Ora, Qyno tha se autorët kishin informacione të sakta se ku lëviznin, ku jetonin dhe me çfarë makine lëviznin shënjestrat e tyre.
Po ashtu Qyno bëri me dije se në zonën ku jetonte Preçi dhe Brahimi nuk punonin as kamerat.
Elton Qyno: Autorët kishin informacion të sakt ë mbi vendin se ku lëviznin dy persona, si Ylli Brahimi dhe Klisman Preçi. Njëkohësisht kishin informacion se me çfarë makine lëviznin dhe njëkohësisht kishin informacion se në vendin ku ata jetonin kamerat nuk punonin. Ka qenë makina e blinduar që i ka shpëtuar jetën Ylli Brahimit, pasi ishte në makinë.
Këtë mllef, këtë duf dhe këtë intensitet të lartë goditjesh me armë në një vendngjarje e kam hasur vetëm në Vlorë. Vetëm në Vlorë qëllohet në këtë mënyrë. Këtë e kam parë edhe tek ngjarja te mbikalimi i Krujës.
Po ashtu gazetari i Ora News, bëri me dije se autorët janë kujdesur që të sigurojnë plumba blindshpues, pasi kanë pasur informacione se Preçi dhe Brahimi udhëtonin me mjet të blinduar.
Elton Qyno: Atentatorët janë kujdesur që të sigurojnë edhe plumba blind shpues pasi kanë pasur informacionet se shënjestra e tyre udhëtonte me mjet të blinduar.
Kruja e Fushë-Kruja është dyqani i vrasësve me pagesë në Shqipëri. Në çdo ngjarje kriminale dije se ke të përfshirë një nga Fushë-Kruja apo Kruja.
Përgatiti Anila Kolgjini.
