Vasili: Rama po bën tradhti kombëtare me detin, të japë informacione mbi negociatat me Greqinë

Në një intervistë për RTV Ora, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili u shpreh se kemi të bëjmë me një qeveri që ka nxjerrë interesat kombëtare në Pazar.

Vasili tha se lidhur me çështjen e detit nuk i takon kryeministrit të vendosë, por presidentit, duke shtuar se kjo është një tradhti kombëtare.

Vasili: Presidenti e ka thënë dhe e ka dokumentuar. Këtu kemi të bëjmë me një qeveri që ka nxjerrë interesat kombëtare në pazar. Qeveria shqiptare dhe ajo greke negociojnë, krejt pa pritur dëgjohet nga Greqia  që thuhet se palët kanë ranë dakord që të shkojnë në Hagë. Çdo vendim nuk i takon kryeministrit, por mandatit që duhet marrë te presidenti dhe duhet thënë pse dështuan negociatat. Rruga për të shkuar në Hagë duhet të ishte e fundit ose të përjashtohej. Rama i ka dhënë të drejtë Greqisë për tu shtyrë në 12 milje në det.

Të shkosh në Hagë përballë një Greqie shumë të përgatitur dhe me atë që i ka dhënë të drejtë Rama, atëherë do të thotë të shkosh me këmbët e tua. Kjo është një tradhti e lartë, më keq sesa veprat e rënda penale, sepse bëhet fjalë për kufijtë shtetëror të Shqipërisë. Presidenti ka dhënë paralajmërime duke thënë se nuk ka komunikim zyrtar nga qeveria për mbylljen e negociatave. Të gjitha këto janë në errësirë të plotë, prandaj presidenti ngre alarmin.

Vasili shtoi se kryeministri duhet të japë informacionin e qartë për deputetët, presidentin dhe opinionin publik.

Vasili: Kryeministri duhet të japë informacionin e qartë për deputetët, presidentin dhe opinionin publik, më pas çdo hap i mëtejshëm duhet të ndërmerret në raport me ato që janë filtrat kushtetues që mbrojnë kufirin detar. Presidenti ka një shqetësim madhor, sepse po marrim vesh se çfarë po ndodh nga Greqia, ndërsa qeveria jonë është në një errësirë totale. Qeveria po përpiqet që të luajë me logjikën e faktit të kryer. Në Kuvend kur të vijë çështja e kufirit, nuk do të ketë deputetë partish, por patriotë që mbrojnë kufirin dhe tradhtar.