Kamarierët “most wanted”, bizneset në Vlorë vuajnë mungesën e punonjësve të kualifikuar
Kamarierët profesionistë janë ndër më të kërkuarit në sektorin e shërbimeve këtë sezon turistik, ku plotësimi i stafit është sfidë për biznesin. Në Vlorë, janë të shumta subjektet që po bëhen gati të përballojnë fluksin e pushuesve të gushtit me mungesa.
"Puna e kamarierit besoj se është e mjaftueshme për të bërë një jetë normale".
Nadiol Pulake, është një prej atyre të rinjve që profesionin e kamarierit kërkon ta ushtrojë gjatë.
Aktualisht punon në Vlorë, por e pranon se kërkesat për pagë e kushte më të mira në punë mund ta largojnë nga Shqipëria, si mijëra e mijëra të tjerë.
"Në të njëjtin profesion do punoj.Ndryshimi është vlerësimi që marrim."
Shërbimet e kamarierëve profesionistë janë më të kërkuarat në sektorin e turizmit këtë sezon, ku plotësimi i stafit mbetet sfidë për biznesin.
"Kamerierët e parë të restorantit kanë qenë më të vështirë për ti kërkuar pasi duhen me shumë eksperiencë."
"Edhe për pjesën e kuzhinës ka qenë një problem por më tepër ka qenë në pjesën e shërbimit, shefit të sallës, kamarierëve."
Të rinjtë që kryesisht punojnë si kamarier në shumicë nuk kanë më interes ose janë larguar nga vendi.
Operatorët turistikë thonë se të gjetja e profesionistëve në sektorin e shërbimeve është sfidë.
"Është arritur në masën 80-90% të plotësimit të stafeve, duhet tu garantosh një punë 12 mujore. Vlora e ka këtë luks në raport me qytetet e tjera bregdetare."
Teksa jemi në mes të sezonit veror, shumë biznese në sektorin e turizmit kanë punësuar të rinj pa eksperiencë në sektorin e shërbimeve, që mbetet një pikë e dobët e turizmit në Shqipëri.
