Kontejneri i “Bana King” qëndroi në Itali dhe Marok, dyshime se kokaina u hoq në portin e Casablancas ose Goia Toauro

Hetimet për kontejnerin me banane të kompanisë “Bana King” në të cilin u zhduken 49 arka që dyshohet se kishin brenda kokainë janë shtrirë edhe jashtë Shqipërisë. Prokuroria e Durrësit po verifikon itinerarin që ka ndjekur ngarkesa në dy porte të tjera jashtë Shqipërisë ku ka kaluar tranzit, për të mësuar më shumë rreth ndërhyrjeve që mund të jenë kryer brenda ngarkesës.

Kontejneri i kompanisë së bananeve “Bana King”, para se të mbërrinte nga Ekuadori në portin e Durrësit, rezulton të ketë qëndruar në zonat e tranzitit, në dy porte të tjera në Afrikë dhe Itali.

Ora News ka mësuar itinerarin e kontejnerit, i cili për shkak se ka pasur dy ndalesa në shtete të ndryshme, ka dyshime se mund të jetë hapur edhe në Itali ose në Marok.

Sipas burimeve, kontejneri që rezultoi i hapur dhe me plumbçe të dëmtuar, kishte 49 arka të mbushura me kokainë me një sasi të përafërt mbi 1 kg.

Grupi i hetimit ka dyshime se kontejneri mund të jetë hapur në portin e Casablancës, ku ka qëndruar në zonë tranziti.

Një dyshim tjetër lidhet me portin italian të  “Goia Toauro”, ku sërisht ngarkesa e porositur nga biznesmeni Trifon Murataj, ka qëndruar në zonë traziti.

Këto dyshime vijnë pas precedentit të rastit të parë, ku në dhjetor 2021 në një kontejner të “Bana King" u sekuestruan 119 kg kokainë.

Kontejneri i “Bana King” ishte hapur në portin italian të “Goia Toauro”, duke ju dëmtuar vulat sigurisë dhe më pas hequr një pjesë e konsiderueshme e arkave.

Por pas 7 muajsh, herën e dytë të ndodhur në muajin korrik 2022 u zgjodh e njëjta skemë e komplikuar, pasi trafikantët kanë hequr të gjitha arkat me kokainë që ndodheshin brenda në kontejner, duke mos lënë asnjë kilogram që ta kapë policia.

Në portin e Durrësit, kontejneri është konstatuar me vulat e plumbçeve të dëmtuara dhe nisur nga kjo situatë, policia urdhëroi arrestimin e 18 personave, zyrtarë të portit dhe 2 prej tyre ishin të kompanisë “Bana King”.

Ndërsa 5 ditë pas zhdukjes së 49 arkave nga kontejneri i kompanisë "Bana King" në portin e Durrësit Antidroga e policisë është kujtuar të kontrollojë magazinat e kësaj kompanie në periferi të Tiranës, ku për shkak të kësaj vonese nuk ka arritur të gjejë asgjë kompromentuese.

Në dhjetor 2021 kompanisë “Zico”, e njohur në treg edhe si "Bana King", ju kapën plot 119 kg kokainë, e cila ishte arritur të nxirrej me kontejner nga porti i Durrësit në drejtim të magazinave të firmës në Vaqarr.

Për këtë ngjarje u arrestuan tre persona, dy shoferë të kamionit dhe administratori i kompanisë “Zico”, Marson Murataj.