"400 mijë lekë për 6 muaj burg më pak!" I dënuari që do favorizohej dhe si ra SPAK në gjurmët e gjyqtares e avokatit
Detaje të reja nga dosja e arrestimit të gjyqtares së Elbasanit, Zamira Vyshka dhe avokati Ilir Pashaj, ish gjyqtar i larguar nga detyra para vetingut, të arrestuar me urdhër të SPAK, me akuzën e korrupsionit në një skemë të uljes së dënimit ndaj një shtetasi kundrejt rryshfetit.
Burimet nga hetimi sqaruan se në tetor të vitit 2021, avokati Ilir Pashaj, i cili ka qenë gjyqtar u tha familjarëve të shtetasit Xhulio Musaj, i arrestuar për plagosje, se do i ulte 6 muaj burg për 200 mijë lekë.
Fillimisht i kanë dërguar shumën e prej 200 mijë lekëve por pas takimit me gjyqtaren, sipas organit të akuzës, ajo ka kërkuar më shumë para. Ndërsa familjarët e kanë konsideruar shumën e kërkuar prej 400 mijë lekësh të rinj si të tepruar, ku kanë lindur edhe debate mes palëve.
Prokuroria e Posaçme është informuar për rastin përmes rrugëve operative dhe më pas ka vendosur në përgjim të personave ndaj të cilëve kishte dyshime. Dy familjarët e Musait i kanë dhënë 400 mijë lekë avokatit Ilir Pashait, ishte gjyqtar në Elbasan, i tërhequr para se të kryente vetingun. Ndërkohë, që ky i fundit ia ka dorëzuar gjyqtares, Zamira Vyshka.
Burime pranë SPAK bëjnë të ditur se gjyqtarja është lënë në arrest shtëpie vetëm për shkak të moshës.
Burime bëjnë me dije se brenda banesës së gjyqtares, pavarësisht kontrolleve të imtësishme nuk janë gjetur sende të kundraligjshme, apo shuma të konsiderueshme parash.
Në një njoftim zyrtar, Prokuroria e Posaçme bëri të ditur se ndaj gjyqtares së Elbasanit është vendosur masa e "arrestit në shtëpi" për akuzën e korrupsionit pasi dyshohet se ka marrë një shumë ryshfeti prej 400 mijë lekë të reja.
"Fakti penal i hetuar, lidhet me një rast të korrupsionit aktiv/pasiv në sistemin e drejtësisë (në qytetin e Elbasanit), ku persona të interesuar/familjarë të një shtetasi të arrestuar në bashkëpunim me avokatin mbrojtës Ilir Pashaj, i kanë ofruar gjyqtares shumën monetare me qëllim favorizim në caktimin e masës së dënimit" informoi sot (22 korrik 2022) SPAK.
Për këtë skemë korruptive prokuroria ka vënë nën akuzë pesë persona ku në orët e para të ditës është ekzekutuar masa e sigurimit “Arrest në shtëpi”, për shtetasen Zamira Vyshka, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Elbasan.
Po kështu janë ekzekutuar masat e sigurimit “Arrest në burg”, për shtetasin Ilir Pashaj, me detyrë avokat mbrojtës, si dhe për shtetasit Taulant Ramollari, Xhulio Musaj ndërkohë që është ekzekutuar masa e sigurimit “Arrest në shtëpi”, edhe për shtetasin me iniciale A.T.
