Basha: S’do ketë bashkëpunim rajonal nëse s’dënohet gjenocidi serb, parlamenti ta votojë, e shkuara rrezikon të përsëritet

Lulzim Basha, nga foltorja tha se nuk mund të ketë bashkëpunim rajonal pa u dënuar gjenocidi serb.

Në fjalën e tij Basha tha se e vërteta nuk zhbëhet dot pasi ajo është e shkruar në historinë shqiptare, ndërsa shtoi se ky parlament duhet të votojë për dënimin e gjenocidit serb.

Sipas Bashës çdo qëndrim tjetër ndaj Serbisë, sado të fshihet pas sokëllimave, gjuhës së shthurrur dhe banaliteti dhe gënjeshtrave, është një amnisti e fshehtë ndaj një të shkuare që rrezikon të përsëritet nëse nuk pranohet dhe dënohet si e gabuar.

Ai tha se i takon Kuvendit të jenë sot zëri i viktimave të atij genocidi, të jemi edhe zëri i Kosovës.

Lulzim Basha: Nuk mund dhe nuk do të ketë bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal pa pranuar dhe dënuar gjenocidin serb. Nuk është aspak rastësi që pasi krijuan një tollovi të madhe ne opinionin ndërkombëtar, në përpjekje për të ndryshuar historinë, hapi më i fundit - siç e ka pohuar vetë protagonist – ishte planifikimi për eleminimin fizik të ish-raportuesit të Këshillit të Europës, Dick Marty nga struktura serbe të sigurisë për të fshehur gjurmët, e për të fajësuar sërish shqiptarët. Por e vërteta nuk zhbëhet dot, ajo është shkruar në historinë e dhimbshme të kombit tonë, me gjakun e të rënëve prej gjenocidit serb në Kosovë dhe po ashtu prej gjakut të rënëve në mbrojtje të shqiptarëve nga shfarosja.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë përballë agresionit, gjenocidit, spastrimit etnik, krimeve kundër njerëzimit e spastrimit etnik që regjimi kriminal i Millosheviçit po kryente ndaj popullsisë së pambrojtur në Kosovë.

Askush nuk mund të barazojë viktimën me agresorin. Askush nuk mund të barazojë luftën e drejtë të UÇK-së për dinjitet njerëzor dhe liri, me masakrat dhe genocidin e ushtruar nga hordhitë kriminale të Millosheviçit ndaj popullsisë civile të Kosovës.

Lufta e UÇK-së pati në krah të saj NATO-n me në krye SHBA, sepse ishte një luftë e drejtë. Shqiptarët patën në krah dhe mbrojtje të tyre të gjitha vendet demokratike, sepse ndaj tyre po kryhej genocid, spastrim etnik dhe krimet më çnjerëzore.

Prandaj ky parlament, burrat dhe gratë me integritet nuk mund të kenë asnjë ngurrim për të folur qartë dhe fort dhe për të votuar, makineria ushtarake serbe e urdhëruar nga Sllobodan Milloshevic ka kryer genocid e spastrim etnik ne Kosovë. 1600 persona janë ende pa varr edhe sot që flasim.

Dënimi i genocidit serb në Kosovë, nuk ka për qëllim për të mbetur pengje të së shkuarës së dhimbshme, por për t’i hapur rrugën të ardhmes, që nuk mund të jetë e paqtë, as e begatë për rajonin pa u shëruar plagët e një lufte që shqiptarët nuk kanë nisur, por kanë pësuar.

Çdo qëndrim tjetër ndaj Serbisë, sado të fshihet pas sokëllimave, gjuhës së shthurrur dhe banaliteti dhe gënjeshtrave, është një amnisti e fshehtë ndaj një të shkuare që rrezikon të përsëritet nëse nuk pranohet dhe dënohet si e gabuar. Na takon ne të jemi sot zëri i viktimave të atij genocidi, të jemi edhe zëri i Kosovës.

Në këtë mënyrë ne i japim edhe më shumë zë në arenën ndërkombëtare të vërtetës së hidhur të genocidit dhe spastrimit etnik të kryer në Kosovë.

Në këtë mënyrë jemi në krah të përpjekjeve të Kosovës për të mbështetur padinë që ajo po përgatit kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Vetëm duke u përballur plotësisht me të kaluarën, qytetarët e Rajonit tonë mund të arrijnë pajtime të vërteta, pajtime të qëndrueshme.

Ju ftoj të jemi të gjithë bashkë në votimin e amendamenteve që i hapin rrugë përballjes së plotë me të kaluarën si urë drejt së ardhmes europiane, në liri, paqe dhe zhvillim për të gjithë popujt e rajonit.