Dita e Vllaznisë dhe Laçit/ Shkodranët për historinë, kurbinasit në Moldavinë e largët
Vllaznia dhe Laçi në raundin e dytë të UEFA Conference League do të kërkojnë sonte të mbajnë lart flamurin shqiptar në Europë. Në “Stadionul Zimbru-Chisinau” të Moldavisë në orën 19.00, skuadra kurbinase e drejtuar nga Shpëtim Duro sfidon Petrocub, skuadra që e mbylli sezonin e fundit të Moldavisë në vendin e tretë.
Një ndeshje shumë e rëndësishme për bardhezinjtë që pasi kanë arkëtuar në total rreth 500 mijë euro me suksesin ndaj Iskra-s, mund të shtojnë po kaq të tjera në llogari nëse kualifikohen për më tej. Në letër kundërshtari është i kalueshëm ndërsa për të dytin sezon rresht Laçi kërkon fazën e tretë të Conference League.
Në orën 21.00, Vllaznia ka përpara një mision shumë më të vështirë. Universitatea Craiova, skuadra rumune me objektiv fazën e grupeve që sezonin e kaluar u eleminua nga Laçi, do të sfidojë ekipin e Mirel Josës në “Loro Boriçi” në orën 21.00.
