Bakayoko rrëfen momentet e tmerrit: Policia e Milanos mund të më kishte vrarë!

Gjatë orëve të fundit, emri i Tiémoué Bakayoko është ngjitur në krye të lajmeve të kronikës së zezë për shkak të një ngjarjeje të pazakontë. Pasi u ndal gabimisht nga Policia e Milanos i dyshuar si kriminel, lojtari kuqezi flet për herë të parë në lidhje me ngjarjen që sipas tij mund të kishte përfunduar në mënyrën më të keqe të mundshme.

Bakayoko denoncon sjelljen e policisë që e cilëson “të dhunshme”. Mesfushori që momentalisht po stërvitet me skuadrën kampione por mund të përfundojë te Valencia, deklaron:

“Të gabosh është njerëzore dhe nuk kam asnjë problem me këtë gjë por mënyra dhe metodat e përdorura nga policia sipas mendimit tim, janë problematike. Mendoj se e kaluan kufirin. Pse nuk më kërkuan thjesht dokumentat në mënyrë normale?

Në videon e postuar në rrjetet sociale nuk duket e gjithë skena sepse ajo që është shfaqur është pjesa më e qetë e ngjarjes. E pashë veten me një pistoletë të drejtuar ndaj meje nga vetëm 1 metër largësi. Ata vendosën seriozisht në rrezik jetën tonë”.

Në vijim ai shton gjithashtu:

“Kushdo që të ketë qenë motivi, nuk e justifikon sjelljen sepse ata nuk ishin të sigurt për identitetin e të ndaluarit. Pasojat mund të kishin qenë më të rënda nëse nuk do të kisha ruajtur qetësinë dhe nëse nuk do të isha një futbollist”.