“Zjarr” në det, flakë në breg, gjendet e djegur skafi që alarmoi tri shtete për trafik droge
Skafi që alarmoi tre shtete dhe që u ndoq për disa orë në ujërat territoriale shqiptare u gjet i shkrumbuar në bregdetin e Kurbinit. Dyshimet janë se mjeti i fuqishëm lundrues u nis nga Greqia drejt Malit të Zi për trafik droge.
Ky është skafi që bëri “shfaqje” në ujërat tona territoriale dhe ngriti në alarm policinë e Shqipërisë, Italisë e Greqisë.
Pas gati 4 orëve ndjekje intensive nga deti e ajri dhe disa orëve të tjera kërkime u gjet e djegur zonën e Godullës, në Adriatik të Kurbinit.
Mjeti u zbulua rreth orës 05 30 të mëngjesit, ndërsa flakët që dyshohet se iu vunë për zhdukur çdo gjurmë të mundshme vijuan deri në mesditë.
Efektivët e Policisë kur e kontrolluan thanë se nuk gjetën asgjë të dyshimtë në mjetin lundrues të pajisur me motorë të fuqishëm që e bënë të pakapshëm në det as nga mjetet e Guardia Di Finanza Italiane.
Skafistët që dyshohet se ishin të paktën dy persona, prej kësaj pike kanë humbur gjurmët dhe kreha e zonës nuk dha asnjë rezultat.
Dyshimet e forta janë për një tentativë ndërkombëtare të trafikut të Drogës.
Mjeti lundrues, besohet se erdhi nga Greqia dhe tentoi të kalojë përmes ujërave shqiptare drejt Malit të Zi.
Ishte FRONTEX që dha alarmin tek Guardia Di Finanza dhe Policia kufitare shqiptare që iu vunë në ndjekje skafit që u gjet vetëm kur e braktisën.
Grupi hetimor mësohet se po punon për të identifikuar nëse mjeti lundrues është i regjistruar në Shqipëri apo vende të tjera fqinje, paralelisht identifikimit dhe arrestimit të skafistëve.

