Rama sulmon Berishën: Ideja se mund të bëjmë pa ndërkombëtarët, qasje sovraniste katundareske
Në ceremoninë e ngritjes së flamurit të BE-së në Kryeministri, kryeministri Edi Rama ka sulmuar edhe PD-në e Berishës dhe qasjen e tij ndaj ndërkombëtarëve.
Ai tha se nuk mund të mendohej hapja e negociatave pa ndërkombëtarët dhe shtoi se një gjë e tillë lakohet vetëm nga ata që flasin për sovranizëm katundaresk.
Rama: Kjo arritje historike nuk mund të mendohej pa partnerët tanë ndërkombëtarë, po aq sa mund të mendohej reforma në drejtësi pa aleatët tanë strategjikë. Ideja se Shqipëria mund të bëjë edhe pa ata, se mund të nxjerrë dhëmbët e ndryshkur të një sovranizmi katundares dhe t’i hipin kalin të Xhike Qamilit dhe për ta katandisur vendin në një leckë që fshin njollat e mëkateve të tyre, është thjeshtë shëmbëlltyra e marrëzisë ballkanike dhe që bie ndesh me atë që përfaqëson BE-ja.
E di mirë se mes përfaqësuesve të vendeve mike, më shumë se sa disa syresh në mes tonë që nxinë si shpirti i tyre. Prandaj i falenderoj për gjithçka bënë që negociatat të hapen dhe ne të ngjitemi në majën ku populli ynë meriton, por dua tu kërkoj ndjesë për gjithçka që u kanë dëgjuar veshët.
