Zgjedhja e Avokatit të Popullit shtyhet për në shtator
Ora News mëson se zgjedhja e Avokatit të Popullit shtyhet për në shtator.
Duket se një vendim i tillë ka ardhur pas mbledhjes së sotme në Partinë Socialiste.
Kuvendi i Shqipërisë e ka nisur procedurën për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, pasi mandati 5 vjeçar i titullares aktuale Erinda Ballanca ka përfunduar qysh në muajin maj.
Ndërkohë që në maj u bë shtyrja me 30 ditë afatin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, në pritje të një marrëveshje politike mes opozitës dhe mazhorancës.
Vakanca për Avokatin e ri të Popullit u shpall nga Komisioni për Çështjet Ligjore më 30 mars 2022 dhe thirrjes iu përgjigjën 14 kandidatë. Megjithatë, komisioni vendosi ta shtyjë afatin për aplikim deri më 20 qershor.
Edhe pse jemi në 20 korrik, duket se procesi do të shtyhet tashmë për në shtator, ndërsa disa kandidatë janë pyetur tashmë në seancat dëgjimore.
Në fund të seancave dëgjimore me ta, Komisioni miraton një listë me kandidatët dhe vlerësimet përkatëse për ta.
Ata që i përmbushin kriteret ligjore, duhet të marrin edhe mbështetjen e të paktën 28 deputetëve për të qenë zyrtarisht kandidat për Avokat Populli dhe Parlamenti zgjedh fituesin me 84 vota në seancë plenare.
Emrat e kandidatëve për Avokatin e Popullit:
Altin Goxhaj
Jordan Daci
Evis Fico
Erinda Ballanca
Bledar Dervishaj
Ahmet Premçi
Endri Papajorgji
Brikena Kasmi
Boriana Nikolla
Ermir Kapedani
Olta Aliaj
Jorida Rustemi
Drita Avdyli
Ledio Braho
