Përplasi pushuesit në Jalë, gjykata e Vlorës nxjerr nga burgu drejtuesin e gomones

37-vjeçari që përplasi me gomone dy pushues në bregdetin e Vlorës u nxor nga burgu. Gjykata vendosi që hetimi ndaj tij të vijojë me masën e arrestit në Shtëpi.

Gjykata e Vlorës nxori nga qelia 37-vjeçarin përplasi me gomone dy pushues në plazhin e Jalës.

Hetimi Gjergj Priftulin do të vijojë me masën e arrestit në Shtëpi.

Seanca për masën e sigurisë u mbajt këtë të mërkurë në Gjykatën e Vlorës në drejtimin e gjyqtarit Hektor Sinanaj, ndërsa prokuroria u përfaqësua nga Erida Visoci.

Ngjarja u shënua më 16 Korrik në Plazhin e Jalës.

Siç konfirmuan pamjet e kamerave të sigurisë 37-vjeçari po kryente manovra të rrezikshme me mjetin lundrues larg bregut të detit.

Në një moment ai dyshohet se humbi kontrollin dhe vetë u hodh në ujë.

Gomonia me shpejtësi vijoi të lundrojë drejt plazhit, ku përplasi një çift të rinjsh përkatësisht 25 dhe 31 vjeç që qëndronin në shelzonge.

Vajza mori lëndime të lehta, ndërsa 31-vjeçari mësohet se I është nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale në Spitalin e Traumës pasi ishte në rrezik për jetën!

Ngjarja e Jalës nuk është e vetmja ku mjetet e ujit kanë rrezikuar jetën e pushuesve në det.

Pasditen e të hënës një 7-vjeçar u godit nga një gomone në Plazhin e Jonufrës në Vlorë, pasi 40-vjeçari Andis Korreshi nuk respektoi kufizimin me bova detare dhe u fut në zonën ku nuk lejohen mjetet lundruese

Pas dy aksidenteve të rënda dhe ngritjes së alarmit në media, Policia kufitare e Vlorës ka nisur aksion për kontrollin e dokumentacionit të të gjitha mjeteve lundruese.