Tjetër aksident në det, gomonia dëmton 7-vjeçarin që notonte në afërsi të bregut

Plagoset një i mitur në det. Sot, rreth orës 17:40, në plazhin e Jonufrës, shtetasi Hamdis Koreshi, rreth 40 vjeç, duke drejtuar një mjet lundrues tip gomone, ka dëmtuar një 7-vjeçar, i cili ka qenë duke notuar në afërsi të bregut.

Aktualisht fëmija ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Drejtuesi i mjetit lundrues është shoqëruar nga Policia për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Me 16 korrik, në plazhin e Jalës një gomone shkeli distancën nga vija bregdetare dhe goditi një çift pushuesish të cilët u plagosën pasi drejtuesi humbi kontrollin.