“Kemi paralajmëruar ngjarjet kriminale”, Dogjani: Policët të paaftë dhe kanë frikë

Avokati dhe ish drejtuesi i policisë Asllan Dogjani thotë se forca e grupeve kriminale si ato të cilët kryen atentatin ditën e djeshme (17 korri) tek mbikalimi i Fushë-Krujës është e lidhur me shumë element.

Gjatë një interviste për Ora News ai u shpreh se ato kanë bashkëpunim me policinë.

Asllan Dogjani: Ne herë pas here i kemi paralajmëruar ngjarje të tilla kriminale sepse këto janë të lidhur dhe me paaftësinë e policisë dhe me inkriminimin e policisë me grupet kriminale por dhe me futjen në radhët e policisë të personave të cilët janë militant partie. Mënyra e ekzekutimit ka të bëjë me persona të cilët nuk e kanë për herë të parë sepse e tregon mënyra si kanë bllokuar rrugën si e kanë ndjekur. Siguria e këtyre personave të cilët kanë bërë vrasjen është e lidhur me shumë element. Në radhë të parë mendoj që ato kanë bashkëpunim brenda policisë së shtetit.  Vetë një marrëdhënie mes këtyre grupeve dhe me element brenda policisë së shtetit tregon atë sigurinë që dhe pasi njëri nga viktimat doli nga makina ato dolën dhe e ekzekutuan. Policët janë dhe të paaftë por kanë dhe frikë. Veprime të tilla i bëjnë forcat speciale dhe të cilat janë përshtatur me mënyra të tilla të të punuarit ose dhe element që mund të kenë ardhur dhe nga jashtë dhe mund të jenë të paguar.