TAP shpëton Evropën nga Rusia, Tabaku: Edhe Shqipëria duhet të fusë gazin si alternativë për dritë dhe ngrohje

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, thotë se ndërtimi i gazësjellësit TAP që erdhi dhe u zhvillua si projekt gjatë qeverisjes së PD duket se po është një nga dyert e shpëtimit jo vetëm të investimeve të huaja në vend por njëkohësisht edhe të BE-së.

Tanimë që BE ka vendosur të rrisë dhe me 60 mln USD blerjet nga gazi azerbajxhanas, Tabaku thotë se dhe Shqipëria duhet të shohë mundësinë si mund të përfitojë më shumë.

Deputetja vlerëson se qeveria duhet të ketë plane konkrete dhe serioze për të diversifikuar sektorin e energjisë dhe për të shtuar gazin në ato mënyra dhe forma për të furnizuar qytetarët me dritë dhe ngrohje.

Postimi i plotë në facebook

Një prej investimeve më të rëndësishme strategjike dhe të huaja në Shqipëri është padyshim ndërtimi i gazësjellësit TAP që erdhi dhe u zhvillua si projekt gjatë qeverisjes së PD.

Pikërisht ky projekt duket se po është një nga dyert e shpëtimit jo vetëm të investimeve të huaja në vend por njëkohësisht edhe të BE-së.

Tanimë që BE ka vendosur të rrisë dhe me 60 mln USD blerjet nga gazi azerbajxhanas ne duhet të pyesim veten se si mund të përfitojmë më shumë?!

TAP nuk është vetëm një projekt strategjik për Europën por duhet të jetë edhe një mënyrë dhe opsion për qeverinë shqiptare dhe Shqipërinë që të diversifikojë furnizimin duke përdorur jo vetëm hidrocentralet por edhe gazin që vjen nga TAP.

Prandaj sot duhet të kemi realisht plane konkrete dhe serioze për të diversifikuar në sektorin e energjisë, për të shtuar edhe gazin në ato mënyra dhe forma për të furnizuar qytetarët me dritë dhe ngrohje.

Gjithashtu do të ishte e udhës që të investohej seriozisht dhe me mençuri në sektorin e gazit dhe gjithashtu edhe të përpunimit të LNG përmes investitorëve strategjikë dhe partnerëve amerikanë për të qenë edhe ne një vend nga ku mund tregtohet gazi.

Suksesi i TAP nuk ishte thjesht një investim i huaj që mbajti gjallë ekonominë për mbi 8 vite por mbi të gjitha ishte nje investim strategjik që sot po korr frytet e duhura.

Në këto kohë të vështira ku ka oportunitet ne duhet të përdorim të gjitha mjetet për të rritur akoma më shumë rëndësinë strategjike të vendit tonë dhe gjithashtu për të përfituar duke modernizuar ekonominë dhe jo vetëm.

Koha është që qeveria të veprojë për të kapur momentin dhe për të intensifikuar më tej diversifikimin në sektorin e energjisë.