Vetëvarja e të dënuarit në qeli, Avokati i Popullit zbarkon në burgun e Durrësit: Garantoni jetën e të burgosurve

Pas njoftimit në media për vetëvarjen e të dënuarit në qeli, një ekip i Avokatit të Popullit ka zbarkuar në burgun e Durrësit për inspektim.

"Avokati i Popullit është njohur nëpërmjet medias lidhur me një ngjarje e rëndë të ndodhur brenda njërës prej qelive të burgut të Durrësit. Sipas raportimeve, në ambientet e brendshme të këtij institucioni, një i burgosur ka varur veten. Një ekip i Avokatit të Popullit i përbërë nga Komisioneri dhe Ndihmës komisionerë të Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës menjëherë pas marrjes dijeni të ngjarjes po verifikojne ne vend ngjarjen" thuhet në njoftimin për media.

Nisur nga kjo ngjarje, Avokati i Popullit për herë të disatë sjell në vëmendje të autoriteteve nevojën e marrjes së masave të menjëhershme dhe energjike për përmirësimin e kushteve pranë institucioneve penitenciare IEVP në përputhje me angazhimet e shtetit shqiptar pranë organizmave ndërkombetarë si dhe në zbatim të akteve ligjore kombëtare e ndërkombëtare.

Avokati i Popullit nënvizon që rekomandimet e përpiluara prej tij drejtuar institucioneve të shtetit shqiptar, nuk kanë qëllim tjetër përveçse përputhjen e standardeve faktike me angazhimet e marra nga shteti shqiptar në grarantimin e jetës dhe të drejtave të qytetarëve të cilëve u është privuar liria.

Avokati i Popullit u bën thirrje nstitucioneve shqiptare të marrin masat e nevojshme për të garantuar jetën e personave që vuajnë dënimin, por edhe ndihmën psikologjike apo shëndetësore që keto ngjarje të mos ndodhin.

Roland Hasani, 44 vjeç, i dënuar me 14 vjet për vrasje, u vetëvar në qelinë e burgut të Durrësit ku vuante dënimin. Ai ndërroi jetë  në spitalin rajonal të Durrësit.

Viktima dyshohet ta ketë kryer aktin në kushte të rënduara psikologjike pasi vuante edhe nga probleme të shëndetit mendor.

Strukturat e posaçme janë duke kryer hetimet e nevojshme për të mësuar më hollësisht se si ndodhi ngjarja.