Shqiptarët braktisin edhe Lukovën/ Të huajt kritikë për infrastrukturën, por të ndarë për çmimet

Këtë verë më pak turistë ka edhe në Lukovë. Fshati është braktisur nga pushuesit familjarë ndërsa të huajt kanë kritika për infrastrukturën dhe papastërinë.

Lukova këtë mes sezoni është thuajse bosh. Fshati turistik në jug të vendit vizitohet kryesisht nga pushuesit familjarë të cilët këtë vit duket se e kanë braktisur.

Si rrallë herë në zhelongë e lokale ka pak turistë. Ndër pushuesit dominojnë të huajt.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Disa prej tyre ndryshe nga ç`prisnin vendin e kanë gjetur me mbeturina e rrugë të dëmtuara.

"Unë vij nga Viena dhe më bën përshtypje rrugët në Shqipëri. Janë më keq nga çfarë më kishin thënë. Këtu ka kudo mbeturina. Sic mund ta shikoni në vende të ndryshme ka mbetje. Në Austri nuk do ta shihnit kurrë një pajme të tillë. Unë nuk preferoj plazh privat, marr cadrën time dhe kënaqem. Nuk i preferoj çadrat e plazheve pasi ato kushtojnë dhe nuk ke privatësi," thotë një turiste e huaj.

Një pjesë kanë kritika për çmimet.

"Natyra është vërtetë e mrekullueshme këtu. Njerëzit më thanë se ushqimi këtu nuk kushtonte, por jam e surprizuar sepse në kohën kur unë erdha nuk ishte aq lirë sa supozohej të ishte," thotë ajo.

Por për të tjerë Shqipëria mbetet ende vendi ku mund të pushohet lirë.

"Jam nga Ukraina. Më pëlqen plazhi këtu është shumë bukur dhe njerëzit janë shumë të sjellshëm. Ushqimi shqiptar është shumë i shijshëm dhe i ndryshëm. Cmimet nuk janë shumë të shtrenjta. Mendoj se Shipëria është një vend shumë interesant për tu vizituar. Ka shumë vende që ti mund ti shohësh këtu," thotë një turiste.

"Lukova është shumë e bukur. Ne ishim dje në Bunec dhe atje nuk ishte plazh i mirë për fëmijët. Lukova është e mrekullueshme për ta. Restorantet janë të bukura, me ushqim të shijshëm dhe çmime të përballueshme," thotë një tjetër turist i huaj.

Këtë verë në shumë prej plazheve të vendit, veçanërisht në jug, pushuesit janë të pakët në numër.

Shtrenjtimi i ofertës turistike si pasojë e luftës në lindje por edhe cilësia e shërbimit që jo gjithmonë justifikon çmimet duken të jenë arsyet që kanë lënë plazhet bosh këtë korrik.