Drogë në kontenier? Shoqërohen në polici 30 punonjës të sigurisë në portin e Durrësit
Zbulimi i një kontejneri me banane por i hapur para se të kalonte në skaner dhe zhdukja e disa arkave nga ngarkesa ka ngjallur dyshime për trafik droge nga Porti i Durrësit. 20 persona deri më tani janë vënë në pranga.
Një kontejner me banane i hapur në Portin e Durrësit, ka rikthyer alarmin për trafikun e drogërave të forta
Ngarkesa që kishte mbërritur disa ditë më parë nga Amerika Latine, por para të se kalojë në filtrin e Skanerit dhe policisë është hapur dhe prej aty janë marrë disa arka.
Kjo ka forcuar dyshimet se brenda arkave mund të kete pasur lëndë narkotike.
Kur Task Forca permanente e përbashkët zbuloi se kontenierin e paplumbosur nisi hetime.
Brenda pak orëve, 16 punonjës sigurie në portin e Durrësit, dy operator firme dhe punëtori i kompanisë me shoferin që prisnin ngarkesën me banane në port u vunë në pranga.
Punonjësit e forcës së sigurisë Portuale dhe firmës "Marinier" që operon në Portin e Durresit akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Thyerja, heqja, zëvendësimi i shenjave të sigurisë së autoriteteve doganore” kryer në bashkëpunim.
Ndërsa Altin Muhametaj, punëtor në kompaninë që priste ngarkesën me banane dhe Nazmi Allgjata, shofer akuzohen për “Kontrabandë me mallra te tjera” dhe “Thyerja, heqja, zëvendësimi i shenjave të sigurisë së autoriteteve doganore” në bashkëpunim.
Agjensitë ligjzbatuese thonë se ende janë duke kryer hetime për të zbuluar persona të tjerë të pëfshirë në këtë ngjarje.
Përgjatë këtij viti në Portin e Durrësit janë sekuestruar disa ngarkesa droge e mbërritur nga Amerika Latine kryesisht mes ngarkesave me banane kryesisht nga Ekuadori.
Ndërsa në dy raste kokaina e mbërritur nga Amerika Latine ka qenë e fshehur mes qymurit dhe mishit të pulave.