“Të dorëzuar ndaj zjarreve” KLSH: Shqipëria me zjarrfikëse të vjetra e 1 helikopter, mungojnë pajisjet
Mbi 8 mijë hektarë të djegura në vitin 2021 dhe 44 banesa nuk kanë shërbyer si sinjal alarmi për të marrë masa paraprake në përballimin e situatave të rënieve të zjarrit.
Kontrolli i Lartë i Shtetit në auditimin e dy viteve të shkuara ka zbuluar se në total në Shqipëri janë 152 zjarrfikëse.
Nga këto 131 në gjendje pune, 8 me defekte të vogla, 3 me defekte të konsiderueshme, 10 jashtë përdorimit dhe 36 të pa targuara.
Por ajo çfarë e bën edhe më problematike situatën është fakti se shumë nga zjarrfikëset në dispozicion janë të vjetruara madje disa datojnë nga vitet gjashtëdhjetë) janë në gjendje të keqe dhe nuk janë të ndërveprueshme sepse janë dhuruar nga vende të ndryshme.
Numri i zjarrfikësve profesionist për vitin 2021 ishte 1295, por u mungojnë pajisjet mbrojtëse personale dhe pajisje të jashtme për shuarjen e zjarreve, si: Kostume anti zjarr, kundragaz, çizme kundra zjarrit, doreza kundra zjarrit etj.
Ky është dhe shkaku që shpesh në media shfaqen duke sakrifikuar gjithçka për të shuar flakët por vetëm me mjete rrethanore.
Sa i përket ndërhyrjeve nga zjarri raportohet se në dispozicion të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile janë 4 helikopter, por vitin e shkuar ka qenë në gjendje operacionale vetëm një prej tyre.
Mungesa e tyre është bërë shkak që për shuarjen e flakëve Shqipëria iu drejtua Mekanizimit Evropian të Mbrojtjes Civile ERCC, për ndihmë ndërkombëtare, ndihmë e cila ka ardhur nga Shteti Holandez me 3 mjete Helikopter dhe 76 veta personel, Republika Ceke me 2 mjete Helikopter me 7 veta personel.
Gjithashtu USAID ka ofruar asistencë teknike mbi metodat e shuarjes së zjarreve në pyje me 4 veta personel
Por duket se edhe këtë vit helikopterët do të qëndrojnë fikur teksa është dhënë si argument kosto e lartë e mirëmbajtjes. Sipas KLSH vitin e shkuar dy persona humbën jetën në Gjirokastër ndërsa 10 të tjerë janë lënduar.
Gjithashtu janë djegur 8029 hektarë, nga të cilat kullotë 377 ha, shkurre 6335 ha, dushk 300 ha, ahishte 383 dhe pisha 635 ha. Janë djegur gjithashtu 15248 rrënjë ullinj dhe 104 rrënjë pemëtari të ndryshme.
Ndaj KLSH shprehet se referuar faktit që Shqipëria është një nga vendet mesdhetare që preket më shumë nga zjarret, planifikimi apo programet e kontrollit të situatave emergjente nuk mund të lihen deri në momentin e ndodhjes së fatkeqësisë.
