Mushkonjat “pickojnë” Bashkinë e Tiranës, KPP kthen tenderin për ilaçin që e prodhon vetëm një firmë në botë
Kriteret që eliminojnë konkurrencën kanë bërë që Komisioni i Prokurimit Publik t’i kthejë mbrapsht bashkisë së Tiranës tenderin për dezinsektimin e parqeve dhe objekteve në to.
Në ankesën e paraqitur një nga kompanitë që kanë shprehur interes kanë bërë të ditur se edhe për fondin 3.3 milionë lekë Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit në varësi të Bashkisë së drejtuar nga Erion Veliaj ka kërkuar që ilaçi i cili duhet të përdorur të jetë ai që prodhohet vetëm nga një firmë në botë.
Madje në dokument thuhet se për këtë material ka një subjekt të vetëm të licencuar në Shqipëri për tregtimin dhe shpërndarjen.
Pra në këtë mënyrë edhe fituesi do të ishte i vendosur ende pa filluar gara.
Madje subjekti Egian Med që ka shprehur shqetësimin në dokument bën të ditur se ekskluzivitetin për këtë ilaç e ka subjekti NRG sh.p.k.
Ndërkaq në argument KPP thekson se institucionet prokuruese në këtë rast bashkia e Tiranës duhet të bëjë specifikime të përgjithshme në tender duke krijuar kushte për konkurrim të paanshëm e të hapur ndërmjet të gjithë kandidatëve e ofertuesve.
Madje shton se duhet të mundësojnë trajtim të barabartë për të gjithë kandidatët dhe ofertuesit dhe të mos shërbejnë si pengesa për konkurrencën e hapur në prokurimin publik
“Në hartimin e specifikimeve teknike autoritetet kontraktore duhet të shmangin çdo formë diskriminimi, qoftë ato të dukshme, qoftë ato të fshehta, të cilat kanë të njëjtin efekt”, - thuhet në deklaratë.
Ndaj pas shqyrtimit të dosjeve edhe tender i shkatërrimit të mushkonjave është pezulluar dhe është kërkuar rishikimi i kritereve.
