Shlyerja e kredive, Meta letër Ramës e SPAK-ut: Reagoni, mbi 100 mijë qytetarët po mashtrohen
Presidenti i vendit, Ilir Meta u ka drejtuar një letër disa institucioneve në vend për mbrojtjen e qytetarëve që identifikohen si debitorë nga subjektet financiare jo banka.
Letra i drejtohet kryeministrit Edi Rama, Kuvendit, Ministrisë së Drejtësisë, SPAK-ut, kreut të policisë dhe disa zyrtarëve të tjerë, duke iu kërkuar që të reagojnë lidhur me këtë çështje.
Ai bën me dije në letër si i janë parashtruar raste konkrete të vendimeve jo transparente të institucioneve financiare jo banka, për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura prej konsumatorëve.
Ai thekson se ka në të mungesë të transparencës dhe dijenisë së qytetarëve të konsideruar si “debitorë” për detyrime financiare, e që po shkaktojnë një tronditje të rëndë ekonomike, sociale dhe psikologjike, duke cenuar cilësinë e jetës së shumë familjeve shqiptare.
Meta sjell në vëmendje se ekziston edhe fenomeni i përhapur masivisht të mbledhjes së detyrimeve nga subjekte që shpesh herë prezantohen edhe me atributet e një përmbaruesi gjyqësor, të palicensuar dhe/apo pa mbikëqyrje të organeve shtetërore e që abuzojnë me të drejtat e debitorëve.
Ai pohon se këta përmbarues ushtrojnë veprimtarinë duke keqpërdorur në mënyrë flagrante të dhënat personale të qytetarëve të nxjerra nga data baza shtetërore, për t`u përdorur më pas si një mjet “shantazhi” për shlyerjen e shumave, origjina, vërtetësia, apo vlera reale e të cilave vihet në dyshim.
Sipas tij, mashtrimi me qytetarët është kthyer në një fenomen masiv dhe prej e kësaj skeme mund të jenë prekur 10 mijë, 30 mijë, apo 100 mijë qytetarë, ndërkohë që organi i prokurorisë ka dy vite që heton lidhur me çështje të kësaj natyre dhe ndaj disa subjekteve, por ende pa ndonjë rezultat konkret të bërë publik.
Prandaj, Meta kërkon angazhimin e institucioneve për verifikimin në themel dhe në mënyrë shteruese të këtij fenomeni; evidentimin e përgjegjësive për çdo shkelës të ligjit; mbikëqyrjen me efikasitet të këtij tregu dhe marrjen e masave.
