Rishfaqet frikshëm Covid-19 në Berat, 25 fëmijë në javë rezultojnë të prekur nga virusi
Në këtë fund javë në Shqipëri rezultojnë të jenë të prekur me koronavirus 8900 persona, prej të cilëve 1461 kanë rezultuar pozitiv të premten
Berati është ndër bashkitë ku përhapja e pandemisë po rritet ndjeshëm me 43 raste në ditë dhe 318 persona ende me Covid 19
Fëmijët janë ata që ndiejnë më shumë simptomat teksa mjekët shprehen se janë të paktën 25 të mitur në javë që preken nga sëmundja
Shefi i Repartit të Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Beratit, mjeku pediatër Vladimir Kumaraku shprehet se simptomat nuk kanë qenë të rënda.
“Çdo ditë regjistrohen nga 3 raste të reja fëmijësh të prekur nga Coronavirusi, por fatmirësisht graviteti i sëmundjes nuk ka qenë i lartë. Rastet e fëmijëve të prekur nga Covid-19 po trajtohen në shtëpi, duke mbajtur kontakt të vazhdueshëm me mjekun për ecurinë e virusit. Rastet kanë qenë të shumta, në rritje nga dita në ditë por forma që po paraqet Covidi nuk ka shenja të rënda.”
Por nuk kanë munguar rastet kur të miturit janë dërguar për kurim të specializuar në spitalin Covid në Tiranë.
“Tre fëmijë të moshave 0-4 muajsh kanë qenë në gjendje të agravuar dhe me probleme respirative dhe janë dërguar për trajtim më të specializuar në Tiranë. Aktivizimi i virusit tek fëmijët në këtë stinë lidhet me lëvizjet e njerëzve drejt plazheve dhe takimet e tyre me emigrantët e ardhur nga jashtë apo turistët.”
Sipas tij, aktivizimi i virusit në këtë stinë lidhet me lëvizjet e njerëzve drejt plazheve dhe takimet e tyre me të afërmit që kthehen për pak ditë pushimi nga emigrimi.

