Maqedonia e Veriut miraton propozimin francez, Rama: Të hënën nisemi për Bruksel
Votimi në parlamentin e Maqedonisë së Veriut i ka hapur rrugën nisjes së bisedimeve për integrimin në BE.
Vetëm pak minuta pas publikimit të rezultateve eurokomisioneri Oliver Varhelyi shprehet se tashmë pas marrjes së mandatit të qartë për qeverinë e Shkupit do të shihet përpara për nisjen e bisedimeve.
Madje takimin e konferencës ndërqeveritare ai e ka paralajmëruar për tu zhvilluar të martën në Bruksel.
Votimi është përshëndetur edhe nga presidentja e komisionit evropian, duke e cilësuar si një mundësi historike
Edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në një postim të gjatë ka shprehur emocionet e vendimit.
Tashmë nuk ka asnjë pengesë shprehet ai duke theksuar se pengmarrja absurd ka marrë fund
Rama: U deshën plot 3 vite të stërmundueshme nga vendimmarrja e Këshillit Evropian për t'i hapur rrugë negociatave, që vargmali i pengesave artificiale të ngritura përpara Shqipërisë të rrafshohet tërësisht. 3 vite të tëra top futbolli nëpër fushat e interesave të politikës së brendshme të vendeve anëtare - pa harruar edhe xhagajdurët e mëmëdheut, grata e non grata, që tërë këto vite nuk i lanë dy gurë bashkë, për ta bllokuar Shqipërinë për llogari të interesave mizerabël të politikës së tyre pa fe, pa atdhe, pa din e as iman.
Gjithashtu Rama bën të ditur se Delegacioni shqiptar do të niset të hënën në Bruksel në nisjen e diskutimeve për hapjen e negociatave të integrimit.
Gjithashtu edhe presidenti Ilir Meta e përshëndeti miratimin e propozimit francez nga parlamenti maqedonas.
Teksa shprehet se ky vendim i hap rrugën negociatave të të dy vendeve, Meta thekson se vendimmarrësit shqiptarë tani duhet të kthjellohen mirë për përgjegjësitë që kanë në ndjekjen e politikave.
Ndërsa ish-kryeministri, Sali Berisha, u shpreh se ky vendim i fqinjëve zhbllokon procesin e integrimit, duke shtuar se hapja e negociatave për Shqipërinë me BE-në lidhet me dëshirën fisnike të BE dhe vendeve anëtare për të garantuar perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perendimor, pavarësisht se, siç sanksionon rezoluta e Parlamentit Europian, Shqipëria ka probleme të mëdha me standardet, kushtet dhe kriteret e BE-së.
Edhe SHBA-të kanë përshëndetur votimin e Parlamentit të Maqqedonisë së Veriut.
Në një deklaratë për mediat, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken thotë se SHBA i njeh kompromiset e vështira të konsideruara në këtë kompromis, i cili njeh dhe respekton identitetin kulturor të Maqedonisë së Veriut dhe gjuhën maqedonase.
Ai nënvizon se ky vendim vjen në një moment kritik për Maqedoninë e Veriut, Ballkanin Perëndimor dhe Evropën.
