Nga 150 deri në 800 euro: Vidhnin portofolat në autobusët e Tiranës, prangosen 2 xhepistat

Policia e Tiranës ka finalizuar operacioni e koduar “Pickpockets”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.

Në pranga janë vënë 2 persona të cilët vidhnin portofolat, afër stacioneve të autobusëve, ku njëri prej tyre i dënuar më parë për vjedhje.

Po ashtu policia ka mundur që të zbardhë 2 raste të vjedhjes së portofolave, gjatë ditëve të fundit.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan operacionin “Pickpockets”. Si rezultat i këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit: A. S., 45 vjeç, banues në Berat, i dënuar më parë për vjedhje; D. Gj., 45 vjeç, banues në Tiranë; Këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, u kanë vjedhur portofolat shtetasve të ndryshëm, në afërsi të stacioneve të autobusave, në zona të ndryshme të Tiranës.   Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasit D. Gj. dhe A. S., janë autorë të ngjarjeve si më poshtë:   Më datë 14.07.2022, në vendin e quajtur "Kthesa e Kamzës", pranë stacionit të autobusit, dyshohet se i kanë vjedhur portofolin me 800 euro, shtetases B. L.; Më datë 15.07.2022, në rrugën "Mine Peza", pranë stacionit të autobusit, dyshohet se i kanë vjedhur portofolin me 15.500 lekë të rinj, shtetasit B. C.” – njofton policia.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera, që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.