Kontrabandonte dhe shiste radio policie, prangoset 28-vjeçarja në Tiranë
Reklamonte dhe tregtonte radio policie, në një faqe në rrjete sociale, vihet në pranga 28-vjeçarja në Tiranë.
Po ashtu, sekuestrohen 15 radio si ato të Policisë, të dyshuara të kontrabanduara dhe shiteshin nga shtetasja M. Gj.
Dërgesat ajo i bënte nga shërbime postare, veprimtari të cilën nuk e kishte regjistruar pranë organeve kompetente.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Receiver". Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetases: M. Gj., 28 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprat penale "Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë", "Kontrabanda me mallra të tjera" dhe "Fshehja e të ardhurave". Gjatë kontrollit të ushtruar në një automjet për shërbime postare, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një pako, brenda së cilës kishte 15 radio marrëse-dhënëse si ato të Policisë, të dyshuara të kontrabanduara.” – njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
