Paketa franceze merr “OK” në Shkup, hapet rruga për çeljen e negociatave edhe për Shqipërinë
Parlamenti maqedonas kaloi këtë të shtunë me 68 vota pro propozimin francez për zgjidhjen e kundërshtive mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Me këtë votim, i çelet rruga hapjes së negociatave dhe tryezës së parë ndërqeveritare me BE-në për Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Me 68 vota pro, Kuvendi i Maqedonisë kaloi këtë të shtunë propozimin francez për zgjidhjen e problemeve dypalëshe me Bullgarinë.
Paketa me shtatë pika përmban angazhimin e Shkupit për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim njohjen e pakicës bullgare si etni e barabartë me të tjerat.
Qeveria maqedonase dhe partitë shqiptare ishin pro për këtë paketë, ndërkohë që opozita maqedonase organizoi protesta masive dhe të dhunshme kundër.
Edhe gjatë seancës plenare të së shtunës nuk munguan vuvuzelat dhe protesta e deputetëve opozitarë.
Më herët nuk kanë munguar edhe protestat e dhunshme kundër këtij propozimi, ku mbetën të plagosur oficerë policie dhe protestues si pasojë e sulmit ndaj ndërtesave qeveritare.
Pika që nxiste më shumë debat mes palëve është ajo që ka të bëjë me identitetin maqedonas.
Për opozitën, kalimi i kësaj pakete do të thoshte bullgarizim i Maqedonisë, ndërkohë aktorët më të lartë ndërkombëtarë e kanë cilësuar si hap të domosdoshëm drejt rrugës evropiane të Maqedonisë.
Miratimi i këtij propozimi në Kuvend nënkupton mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Shkupit dhe Brukselit, ndërsa kapitujt e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE do të nisnin vetëm pas ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë.

