Kraja: Bashkia Tiranë, bashkortake me Klodian Zoton te landfilli i Sharrës. Rama dhe PS po i japin duart Veliajt
Akil Kraja, ish-anëtari i Këshillit bashkiak të Tiranës i është përgjigjur deklaratës së kryebashkiakut Veliaj, i cili në një koment rreth protestës së një dite më parë tha se qytetarët e Tiranës e braktisën opozitën.
Në një intervistë me skype për Ora News me gazetarin Arnold Kariqi, ai thotë se është Veliaj që po braktiset nga PS dhe Edi Rama për shkak të përfshirjes së tij në aferën e incineratorëve.
Kraja: Erion Veliaj ndihet i braktisur nga PS dhe Edi Rama në veçanti të cilët dita-ditës po largohen nga ai për shkak të përfshirjes së tij në aferën e incineratorëve ku bashkia e Tiranës ka paguar disa miliona euro taksa të qytetarëve të Tiranës në shërbim të një kompanie fantazëm pasi incienrator në Tiranë nuk ka, plehrat në Tiranë nuk digjen. Ato groposen me dherat e firmave të ndërtimit që paguajnë një taksë shtesë për ti çuar në Sharrë, një landfill publik.
Sipas tij, askush nuk do të jetë bashkëfajtor me krimin, abuzimet dhe shkeljet që kanë ndodhur në landfillin e Sharrës.
Kraja: Ata që janë braktisur realisht janë Erion Veliaj dhe shoqëria e tij. Po braktisen nga Edi Rama, nga PS sepse askush nuk do të jetë bashkëfajtor me krimin, abuzimet, shkeljet që kanë ndodhur në landfillin e Sharrës ku përfshihet dhe vrasja e Ardit Gjoklaj, 17-vjeçari që pas pak javësh bën vitin e pestë nga humbja e jetës së tij.
Ai hodhi dritë edhe mbi vendimin në këshillin bashkiak për likujdimin e incineratorëve.
Kraja: E kanë bërë në mënyrë kaq tinëzare sa në vendim është thjesht një rresht mes një vendimi të madh që prek buxhetin. Ky është abuzim.Ka mjeshtëri në vjedhje por të gjithë do japin llogari një më një nga financieri më i ulët te kryeministri për qindra milionë euro që po i vidhen qytetarëve përmes kësaj skeme të një strukture të organizuar kriminale siç është ajo e incineratorëe. Bashkia Tiranë do mbajë përgjegjësi si ajo e Fierit dhe Elbasanit për vjedhjen e taksave të qytetarëve shqiptarë, një vjedhje monstruoze. Pensionistë 95-vjeçarë në azil janë pronarë kompanish që kanë xhiruar miliona euro. SPAK ka për detyrë të sanksionojë një minutë e më parë fajtorët, në të kundërt do bëhen bashkëfajtorë me mosaktivizimin e tyre duke i lënë çdo ditë e më shumë Klodian Zoton dhe kompaninë në gjendje të lirë".
Ai shkon më tej kur thotë se Bashkia e Tiranës është bashkortake në mënyrë të tërthortë me Klodian Zoton në menaxhimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës.
Kraja: PS, Edi Rama me shumë gjasa janë duke u trembur nga implikimi i Erion Veliaj në këtë skandal dhe mbase janë duke i dhënë duart e fundit. Demokracia është çështje standardi, vjedhja është çështje hajdutësh. Regjimi që kemi në Shqipëri dhe Tiranë ka vetëm një emër: Kap ç'të kapësh! Lekë, para, tendera, projekte, truall nga qytetarët.

