Balla më optimist se BE për integrimin. Deputeti gjerman: Urojmë që javën e ardhshme, Shqipëria të ulet në tryezë

Bashkimi Europian tregohet i rezervuar për të dhënë një datë konkrete për konferencën e parë ndërqeveritare deri sa Parlamenti i Maqedonisë së Veriut të votojë pro propozimit francez. Por ndryshe nga unioni, kreu i grupit socialist është i bindur se vendi ynë do të ulet në tryezën me BE në fillim të javës së ardhshme.

Kreu i grupit paralmentar të PS është i bindur që javen e ardhshme Shqipëria do të marrë datën për konferencën e parë ndërqeveritare, pavarësisht se ende Maqedonia e Veriut ende nuk e ka pranuar zyrtarisht propozim francez dhe as nga unioni nuk kemi një datë të bërë publike. Në konferencën për mediat me deputetin gjerman Adis Ahmetoviç, Balla tregon që Komisioni Europian ka bërë gati përgatitjen për të pritur Shqipërinë.

Taulant Balla: Berlamo që është ndërtesa e Komisionit Europian dhe në Këshillin Europian, përgatitjet janë gati. Të hënën mbahet konferenca e parë ndërqeveritare.

Ndërsa politikani i ri gjerman është më i përmbajtur për të mos dhënë data konkrete, por premtoi që do të jetë një zë pro integrimit të Shqipërisë.

Adis Ahmetoviç: Do punojmë që javën e ardhshme që Shqipëria të nisë negociatat keni edhe mbështetjen time personale për integrimin dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Konferenca e parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian ka mbetur pezull për shkak se opozita dhe qeveria në Maqedoninë e Veriut ende nuk janë dakordësuar për të bashkuar votat në Parlament pro propozimit francez.