Sekuestrohen 108 kg kanabis brenda shtëpive të barit në Spanjë, në pranga 11 shqiptarë
Policia spanjolle ka arrestuar 11 shqiptarë të cilët merreshin me kultivimin dhe shpërndarjen e marijuanës.
Mediat e huaja, bëjnë me dije se ata shpërndanin marijuanën në qytetin bregdetar por edhe në Tarragonë dhe Girona.
Hetimi filloi në fund të vitit 2021 dhe në janar të këtij viti u bë i mundur arrestimi i dy personave përgjegjës për një plantacion në një shtëpi në Castellbisbal (Vallès Oçidental) me 1264 bimë dhe 32 kilogramë kanabis të gatshëm për t’u shitur në tregun e narkotikëve.
Më vonë një tjetër shtëpi u zbulua në El Vendrell (Baix Penedès), me makineri, por pa produkt dhe ku u arrestuan dy persona të tjerë, ndërsa në maj u ndërhy në një shtëpi tjetër në Caldes de Malavella (Selva), ku u gjetën 122 bimë dhe 76 kilogramë kanabis por edhe shtatë persona, të cilët u arrestuan si përgjegjës për plantacionin.
Të njëmbëdhjetë të arrestuarit po hetohen si autorë të dyshuar të veprës penale të trafikut të drogës, veprimtarisë në grup kriminal dhe vjedhjes së energjisë elektrike.
