Kujdes kur hapni e pastroni puse! Zjarrfikësit: Mos përdorni asnjëherë pompa me benzinë brenda

Një i ri humbi jetën dhe një tjetër u rrezikua të dielën në Mallakastër pasi u asfiksuan gjatë pastrimit të një pusi. Hapja dhe pastrimi i puseve ndër vite ka shkaktuar tragjedi, ndaj zjarrfikësit këshillojnë që kurrë nuk duhet përdorur pompë me benzinë, pasi çliron gaze.

Pastrimi i këtij pusi në Lofkënd të Mallakastrës, të dielën prodhoi tragjedi dhe riktheu alarmin për rrezikun e kësaj pune në mënyrë artizanale dhe pa mjetet e nevojshme.

Bledar Bregu dhe Besnik Veliaj mbetën të asfiksuar brenda për shkak të gazeve të çliruara.

Albenc Zotaj, ishte zjarrfikësi që i nxori nga thellësia të gjallë, por 38-vjeçari  Besnik Veliaj nuk mbijetoi dhe ndërroi jetë.

Zjarrfikësi që u fut nëntokë thotë se ishte një prej operacioneve më të vështira në karrierë.

"Vështirësia e operacionit ka qenë prezenca e familjarëve, të cilët na shtynin që të kryenim veprimet sa më shpejt. Por në operacione të tilla veprimet duhet të bëhen të kontrolluara, që kur shkon për të shpëtuar një jetë, të mos humbësh një tjetër."

Hapja dhe pastrimi i puseve në vazhdimësi ka prodhuar ngjarje të rënda.

Ndaj zjarrfikësit u kërkojnë fermerëve të tregohen të kujdesshëm.

"Qytetarët të mos përdorin pompa me benzinë për heqjen e ujit në pus, janë burim aksidenti. Gazi që shkakton pompa krijon asfiksim brenda pusit."

Për shkak të mungesës së ujit, puset janë zgjidhja e vetme e fermerëve për të vaditur në zonën kodrinore të Mallakastrës.