Masakra e Çoles, Elton Begaj lihet në burg, Ani Begajt i komunikohet dënimi me 35 vite
Përfundon masa e sigurisë për dy të arrestuarit si rrjedhojë e operacionit “Chasing” ku u arrestuan Ani Begaj përgjegjës për masakrën e Coles dhe Elton Begaj.
Për Elton Begajn është dhënë masa e sigurisë arrest me burg.
Ndërsa Ani Begaj me vendim të formës së prerë të prokurorisë, i dënuar me 35 vite burgim është njohur me dënimin e tij. Seanca ka nisur rreth orës 10:00 dhe ka përfunduar pak minuta më parë.
Ani Begaj, një prej autorëve të asaj që njihet si masakra e Çoles në Vlorë, u arrestua ditën e djeshme nga policia në mesditën e 7 korrikut, i shoqëruar nga Elton Begaj.
Të dy të rinjtë po qarkullonin me një mjet tip "Citroen", ndërsa policia kishte marrë informacion se ata posedonin armë me vete, por pa e ditur se me kë kishin të bënin.
Ani Begaj, edhe pse një ndër autorët kryesorë të masakrës së Çoles në prill të 2015, nuk u arrestua asnjëherë pasi dyshohet se pas masakrës ai u arratis jashtë vendit ku dyshohet që qëndroi në Greqi, dhe kishte pak kohë që ishte kthyer në Shqipëri.
Në Prill të 2015, pas një sherri në kazino, mbetën të vrarë Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj. Prokuroria akuzoi si autorë të masakrës Aleksandër Llanaj, Ani Begaj dhe Bertil Aliaj.
Gjatë seancave të gjata në Shkallën e Parë, atë të Apelit dhe Gjykatën e lartë, përfundimisht u dënua me burgim të përjetshëm Aleksandër Llanaj, ndërsa Ani Begaj dhe Bertil Aliaj u dënuan me nga 35 vjet burg në mungesë.
Masakra e Çoles, e cila nisi si një sherr banal, krijoi për vite të tëra në Vlorë një zinxhir vrasjesh mafioze.
