Festohet Kurban Bajrami, edhe këtë vit mijëra besimtarë falën namazin në sheshin “Skënderbej”
Që në orët e para të mëngjesit të sotëm, mijëra besimtarë myslimanë u mblodhën për të falur së bashku Namazin në sheshin "Skënderbej" dhe po festojnë Kurban Bajramin.
Edhe këtë vit besimtarë myslimanë u mblodhën për të falur së bashku Namazin e Kurban Bajramit në sheshin Skënderbej, ndërsa mijëra të tjerë u falën në sheshet kryesore të çdo qyteti të vendit.
Festimet e Bajramit filluan që në orët e para të mëngjesit, ndërsa ceremonia vijoi me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Komunitetit Musliman Shqiptar, Bujar Spahiu, i cili përcolli për të pranishmit urimet dhe përshëndetjet e kësaj dite gëzimi për të gjithë besimtarët muslimanë shqiptarë.
Spahiu: Zoti thotë se tek Allahu arrin devotshmëria juaj.
Spahu i bëri thirrje besimtarëve që kush ka mundësi le të presë Kurban, ndërsa një thirrje e kishte edhe për të rinjtë kur u bëri apel që të mos e braktisin vendin.
Komuniteti Mysliman, para faljes së namazit të Kurban Bajramit, zhvilloi një ceremoni me lexim Kur’ani, ligjërata dhe përshëndetje.
Festa e Kurban Bajramit është një nga dy ditët më të rëndësishme në kalendarin e besimtarëve muslimanë bashkë me Fiter Bajramin.
Kurban Bajrami është festa e mposhtjes së egos sonë, mposhtjen e nepsit që gjithmonë kërkon të jetë para.
Në kalendarin hixhri (islam), Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhxhe dhe zgjat për katër ditë.
Në kalendarin gregorian, data ndryshon nga viti në vit duke shkuar përafërsisht 11 ditë më herët çdo vit.
