Çfarë duhet të bëjmë nëse na pickojnë insektet, por kur bëhemi "dru" nga alkooli apo substancat narkotike?

Në zonë e Drimadhesit, një prej vendeve më të vizituara gjatë verës, ndodhet dhe një Qendër Shëndetësore Verore.

Qendra ndodhet në zemër të Drimadhesit dhe është në dispozicion të pushuesve për çdo komplikacion me shëndetin.

Gazetari i Ora Verore, Ronaldo Sharka bisedoi me mjeken Steliana Lapa e cila tregon se situata deri në këtë fazë të sezonit ka qenë e qetë.

"Kjo periudhë ka qenë e qetë. Kanë mbizotruar gjendjet febrile ku një pjesë e konsiderueshme kanë qenë dhe rastet Covid. Raste të tjera përfshijnë trauma të vogla, pickime nga insektet, goditje nga i nxehti, intoksikacionet nga ushqimi".

Dhe nëse po niseni me pushime, sidomos çiftet me fëmijë të vegjël, duhet të kenë në konsideratë këtë këshillë.

"Për prindërit me fëmijë të vegjël detyra e parë është të sigurohen që të kenë akses në një Qendër Shëndetësore.Mirë është që çdo prind të ketë 2-3 medikamente për fëmijën e vet në çantën e plazhit".

Po nëse jeni me pushime dhe jeni pickuar nga një insekt?

"Më të shpeshta janë pickimet nga mushkonjat dhe merimangat. Ndihma e parë jepet në një qendër shëndetësore nëse reaksioni ndaj këtij pickimi ëhstë i fuqishëm. Ndërsa reaksionet lokale mund të menaxhohen me kompresa lokale deri në paraqitjen në qendrën shëndetësore".

Drimadha është e njohur për frekuentimin nga të rinjtë.Intoksimi nga alkooli dhe mbidozimi me substanca të tjera narkotike është i shpeshtë.

Pas një nate të tepruar me alkool, mjekja ju këshillon të pini sa më shumë lëngje për të vijuar normalisht ditën.

"E para rehidrimi. Të pijnë sa më shumë lëngje. Alkooli shërben si një nxitës i dehidrimit. Të pijnë sa më shumë lëngje derisa alkooli të largohet nga sistemi jonë".

Disa këshilla dhe për overdozën.

"Varet nga lloji substancës që ka konsumuar, substanca të ndryshme kanë efekte të ndryshme në organizëm, varet nga doza dhe mënyra si organizmi reagon.Nëse gjendja është e rëndë nuk ke në dorë të bësh shumë, është emergjente paraqitja në një qendër shëndetësore. Rastet më të lehta, sa më shumë lëngje për të normalizuar disa parametra që ngacmohen nga këto substanca narkotike".