Shisnin kokainë të ndarë në doza në zona të ndryshme të Tiranës, arrestohen dy të rinjtë
Dy të rinj që shisnin lëndë narkotike të ndarë në doza në zona të ndryshme të Tiranës kanë rënë në prangat e policisë.
Të arrestuarit janë 21 vjeçari me inicialet E. B., dhe 24 vjeçari H. C., të dy banues në Tiranë. Kapja e tyre u bë e mundur falë operacionit policor të koduar "Stacioni i fundit".
Në rrugën "Isuf Elezi", policia ka lokalizuar automjetin ku ndodheshin dy të rinjtë.
"21 vjeçarit gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe iu sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje. Sipas verifikimeve të kryera ka rezultuar se lënda narkotike i përkiste shtetasit 24 vjeçarit dhe se 24 vjeçari do kryente transportin e saj", njofton policia.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarive kriminale të kryera nga këta shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
