Rama: Kapeni shansin e fundit, Maqedonia e Veriut duhet të pranojë propozimin francez tani!

Kryeministri shqiptar Edi Rama i kërkon politikës në Maqedoninë e Veriut që të mos hezitojë por të pranojë propozimin e ri francez e cila tashmë ndodhet në dorë të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut.

Në një interviste për Kanalin 5 në Shkup, Rama i paralajmëron se nëse nuk do ta pranojnë propozimin i cili jep zgjidhje konflikti me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut do të dëmtojë rrugën e saj evropiane për shumë vite.

Rama: Ka të bëjë me zgjedhje dhe tani ka ardhur koha të bëni zgjedhjen. Instinkti dhe mendimi im modest më thotë që do ishte një gabim i madh mos ta pranoni. Do të ishte një gabim i madh sepse vendi mund të mbetet shumë mbrapa dhe askush nuk do ketë vullnetin të kthehet  prapë dhe imagjinoni të mblidhni të gjitha vendet bashkë, prandaj mos e bëni, thjesht mos e bëni.

Nëse qeveria e Maqedonisë së veriut nuk arrin të bindë opozitën për ta pranuar përfundimisht dokumentin francez, Shqipëria do të kërkojë nga BE që të ndahet nga fqinji i sa në rrugën evropiane.

Rama: Shqipëria tani e ka kapërcyer pikën ku mund të eci vetëm dhe sigurisht ne do të kërkojmë të ecim të ndarë nëse Maqedonia e Veriut nuk do e pranojë por po them do e pranoj sepse nuk do ketë një propozim tjetër, është përfundimtari, dhe ju nuk keni pse të rrini dhe 17 vite të tjera përballë asaj dere.

Edi Rama vijon të mendojë se BE ka probleme të theksuar në politikën e zgjerimit, të cilat sipas tij kanë ndikuar në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Rama: Ata kishin ngelur në kurth, ishin strucët e Bullgarisë si ne por sigurisht për ne ishte një eksperiencë e dhimbshme të ishe peng.

Data për konferencën e parë ndërqeveritare të Shqipërisë me Bashkimin Evropian do të varet nga vendimi që do të marrë Parlamenti i Maqedonisë së Veriut pas negociatave qeveri-opozitë.