Sulmi i Ramës ndaj gazetarit, Goci: Ta çojnë në gjykatë, të bëjnë dhe një grevë, kryeministri të flasë me veten

Së fundmi një gazetar në konferencën e ditës së premte për gazetarët nga kryeministri, “u dënua” në atë që Edi Rama e quan riedukim sipas së cilës nuk ka më të drejtën e pyetjes për 3 muaj në konferencën që zhvillon kryeministria.

Pedagogu dhe aktivist Ervin Goci gjatë një interviste për RTV ORA u shpreh se kjo sjellje është dhunë, një kërcënim ndaj gazetarit.

Goci shtoi se kjo do një reagim të fuqishëm nga ana e gazetarëve. Sipas tij gazetarët duhet ta çojnë edhe në gjykatë kryeministrin, në kushtetuese, madje duhet të bëjnë dhe një grevë.

Ervin Goci: Është shkelje e së drejtës minimale për tu shprehur. Kur e pashë mendova mos është ndonjë çadër e Gadafit, ndonjë ambient ekzotik ku I luajnë pendët, ku I dihet si I duket vetja me bollëk frutash e ekzotik përpara. Të mos kuptosh ç’është institucioni dhe ç’është hapsira e vet private do të thotë se shteti ka marrë fund simbolikisht dhe funksionalisht. Ajo është dhunë, një kërcënim ndaj gazetarit. Kjo do një reagim të fuqishëm nga ana e gazetarëve. Nëse gazetarët nuk arrijnë dot të solidarizohen me njëri tjetrin dhe ti thonë që kjo punë duhet të marri fund dhe ta çojnë edhe në gjykatë kryeministrin, dhe në kushtetuese, të bëjnë dhe një grevë. Të flasë me vete ai sepse në fakt gjysmën e kohës me vete flet kështu që le të flasë me vete.

”Kjo tregon që një pjesë e madhe e intervistës së tij është orkestrim”, tha Goci.