Kundër Ramës, PD me 7 korrik në shesh për rininë dhe censurën
Një i ri gjimnazist nga Durrësi ka denoncuar publikisht nga selia e PD-së, sulmet politike nga mësues militantë në shkollën e tij, për shkak të bindjeve të tija politike dhe të familjes së tij. Selia blu reagoi edhe lidhur me skandalin e radhës të kryeministrit Edi Rama me gazetarët në konferencën për shtyp të së premtes, ku përjashtoi për 4 muaj nga konferencat gazetarin që e vuri në siklet lidhur me skandalin e përfitimit të 10 metrave plazh në Himarë nga bashkëshorti i ministres Olta Xhaçka me statusin e investitorit strategjik.
Në kuadër të protestës kombëtare të 7 korrikut Partia Demokratike ka hapur selinë e saj për të gjithë qytetarët ku përmes foltores shprehin shqetësimet dhe thirrjet e tyre për tu bashkuar në tubimin e së enjtes.
"Në gjimnazin ku unë mësoj për arsye të bindjeve të djathta të miat dhe familjes time jam bërë disa herë subjekt i bullizimit. Ftoj të rinjtë durrsakë dhe nga gjithë Shqipëria ti bashkohen protestës së 7 korrikut. Kur rrëzohet liria e bindjes dhe e shprehjes rrëzohemi të gjithë, rrezikohet Shqipëria."
Precedenti i përplasjes së kryeministrit Rama me gazetarët nuk ka kaluar pa vëmendjen e demokratëve.
Gazetari: Zonja ministre kam një pyetje vetëm për ju, në 29 prill ka hyrë në fuqi Kodi i ri Etik për Këshillin e Ministrave i cili ndalon dhe parashikon sanksione deri në largim nga detyra për ministrat që e shkelin. Një nga pikat është që ministrat nuk duhet të takohen me biznesmenë dhe të takohen vetëm në kushte kur janë në prani të dy punonjësve të administratës. Ju e keni zbatuar këtë pikë, a e keni takuar bashkëshortin tuaj biznesmen dhe investitor strategjik në shoqërinë e punonjësve të administratës apo e keni shkelur?”
Rama: Tani dëgjo, tani këtu përgjigjen do ta jap unë, do kalosh në rieduktim si Ambrozia në tre muajt e ardhshëm, nuk je i mirëseardhur në asnjë konferencë shtypi.
Gazetari: Zbatimi i Kodit Etik për çfarë është bërë? Kodi Etik a do zbatohet apo jo, nuk e kuptoj se çfarë ka këtu, ju e keni thënë që do ketë sanksione, e keni thënë kur keni prezantuar kabinetin e ri qeveritar.
Rama: Kjo është një tjetër shkelje e Kodit Etik të gazetarit në një konferencë shtypi, që vazhdon me mikrofon dhe mban fjalime, dhe po të them që siç e pe me Ambrozia, komunikimi ishte perfekt… për pyetje të përsëritura pa asnjë etikë, ka një proces që quhet rieduktim, tre muaj, përgjigjen e radhës do ta marrësh pas tre muaj, në konferencën e tetorit je i mirëpritur dhe shpresoj dhe i riedukuar për të marrë përgjigje.
Festivali Sunny Hill do të mbahet te Parku i Gërmisë
2 Korrik, 14:08
Sekretarja për Marrëdhëniet me publikun, Jola Hysaj, dënoi qëndrimin e shefit të qeverisë, duke e quajtur një censurë të lirisë së medias dhe fjalës së lirë.
"Ne dënojmë censurën dhe mospërmbajtjen etike dhe protokollare të kreut të qeverisë. Dënimi me riedukim duke i ndaluar pjesëmarrjen me tre muaj në konferencë shtypi një gazetari është një akt i paprecedent i marrëdhënieve media-qeveri në gjithë Europën. PD përshëndet reagimin e Reporterëve pa Kufij pas incidentit në konferencën e djeshme të shtypit".
Partia Demokratike ka nisur prej ditësh takimet me anëtarësinë dhe qytetarët në kuadër të organizimit të protestës së 7 korrikut në Tiranë, ku kryetari i saj Berisha e ka cilësuar si pikënisjen e ndryshimit të madh për vendin.


