“Grabitje qytetareve me kursin e këmbimit tek Rruga e Kombit”, Vasili: Këto janë përgjegjësit, KLSH të veprojë

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, ka denoncuar vjedhjen që ju bëhet qytetarëve në  me kursin e këmbimit tek Rruga e Kombit.

Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Vasili thotë se te Rruga e Kombit likujdimi në lek bëhet edhe sot e kësaj dite me kursin 132 lekë për euro si në asnje vend tjetër të globit.

Sipas tij përgjegjësia bie e gjitha mbi koncesionarin (Salillari dhe Kastrati) dhe Ministrinë e Trasporteve për mosveprimin e qëllimshëm, ndaj duhet të veprojë KLSH dhe institucionet e drejtësisë.

Postimi i plotë:

Të vërtetat e grabitjes së qytetareve me Kursin e Këmbimit tek Rruga e Kombit!

Grabitja e qytetareve me Kursin e Këmbimit për pagesën e Taksës se Rrugës së Kombit është fakt.

Vetëm te Rruga e Kombit likujdimi në lek bëhet edhe sot e kësaj dite me kursin 132 lekë për euro si në asnjë vend tjetër të globit.

Cilat janë të vërtetat e hidhura:

Kursi 132 leke për euro nuk ka ekzistuar asnjë ditë të vetme, që kur Koncesioni ka filluar zbatimin në tetor 2018, kur edhe atëherë kursi ka qenë 125 lekë sipas Bankës së Shqiperisë.

Kontrata e Koncesionit në pikën 11.4.4A detyron qartë që për lëvizje të kursit mbi 5% të bëhen ndryshimet përkatëse, deri edhe tre herë në vit, në bashkëpunim mes Koncesionarit dhe Ministrisë.

Asnjë rishikim i kursit nuk ka ndodhur në thuajse 4 vjet, kur mesatarja e disa viteve nuk kalon 122 lekë për euro dhe qindra milion lekë janë përvehtësuar padrejtësisht në kurriz të qytetarëve dhe bizneseve.

Përgjegjesia bie e gjitha mbi Koncesionarin (Salillari dhe Kastrati) dhe Ministrinë e Trasporteve për mosveprimin e qëllimshëm.

Sot çdo autoveturë paguan rreth 60 lekë të reja me shumë, çdo kamion i vogël 135 lekë me shume dhe çdo kamion i madh 271 lekë me shumë vetëm në një kalim.

Kjo padrejtësi kaq flagrante duhet të shkojë në vend.

Veçanërisht në këtë kohë kur të gjitha çmimet janë rritur e veçanerisht ai i Naftës, të spekullosh edhe me kursin e këmbimit të Taksës së Rrugës është vërtet përtej çdo limiti.

Ndaj do t'ju kërkoj të gjithë institucioneve të drejtesisë dhe KLSH të veprojnë dhe të zbatojne ligjin për përgjëgjësitë e kësaj grabitjeje të qytetarëve.

P.S Shihni një Kupon pagese të majit 2019, Kontratën e Koncesionit Pika 11.4.4A, Kursin Zyrtar të Bankës së Shqiperisë dhe do të kuptoni gjithçka.