Emigrantët shqiptarë ngrenë zërin nga Piazza Albania në Itali, solidarizohen me protesten e 7 korrikut

Emigrantët shqiptarë që punojnë e jetojnë në Itali solidarizohen me protestën e 7 korrikut të thirrur nga opozita kundër qeverisë. Nga sheshi Piazza Albania i Romës ata akuzojnë qeveritarët e Tiranës se janë kundër interesit kombëtar, emigrantëve të vërtetë e sipërmarrjes së ndershme brenda e jashtë Shqipërisë.

Emigrantë shqiptarë në Itali kanë zgjedhur simbolikën e ditës së sotme datë 2 korrik, në përvjetorin e 32 të eksodit të madh e të parë të shqiptarëve për të protestuar në shenjë solidariteti ndaj protestë së madhe datë 7 korrik në Tiranë, kundër qeverisë shqiptare e politikave të saj.

Sipas tyre politikat e qeverisë aktuale "janë kundër interesit kombëtar, emigrantëve të vërtetë e sipërmarrjes së ndershme brenda e jashtë Shqipërisë."

Organizuar nga dega e Partisë Demokratike në Romë, protesta e emigrantëve shqiptarë u mbajt në sheshin më të njohur të shqiptarëve të Romë, Piazza Albania në mes të të cilës ngrihet monumenti i Gjergj Kastriot Skënderbeu.