"Politika të mos ndërhyjë në SPAK!" Majko në Komisionin e Ligjeve: Jam i vetëdijshëm, e kemi kaluar cakun

Ndërhyrjet e politikës në punën e Pokurorisë së Posaçme SPAK u bënë objekt debati në Komisionin e Ligjeve në senacën e diskutimit për rezolutën e Prokurorisë.

Deputeti, Pandeli Majko, e pranoi se mazhoranca e ka kaluar cakun edhe pse qeveria nuk mund të akuzohet pse bën deklarata.

"Do t'ju lutesha që të kuptojmë dhe raportin e Kuvendit të Shqipërisë me strukturën e drejtësisë. Nuk është më ajo marrëdhënia që kemi pasur më parë, është një marrëdhënie krejtësisht tjetër. Kam përshtypjen që në momente të caktuara, dhe unë vetë jam i vetëdijshëm që e kemi kaluar pak cakun."

Ndërkohë kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, kërkoi të futet në draftin 2021 edhe propozimi që të ndalohet rreptësisht ndërhyrja e politikës në SPAK.

"Përfaqësues të lartë politikë në një seri eventesh politiko-partiake kanë lëshuar sinjale të qarta publike për të ndërhyrë në veprimtarinë e SPAK-ut."

Në Komisionin e Ligjeve u konstatua se institucionet e drejtësisë përplasen mes tyre sikur të mos kishin marrëdhënie me njëra-tjetrën.

"Ne konstatuam që marrëdhëniet institucionale mes Prokurorit të Përgjithshëm, KLP, ILD veçanërisht por edhe me vetë KLGJ, paraqiteshin problematike, vetë ata i prezantuan si të tilla."

Deputeti demokrat, Dash Sula, duke ju referuar vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan gjatë fushatës elektorale tha se prokuroria duhet ti kushtojë vëmendje më të shtuar këtyre rasteve.

"Është i vogël reagimi dhe duhet të jetë shumë herë më i fortë."