Harta gjyqësore/ Përplasje brenda mazhorancës, Xhafaj akuzon Ulsi Manjën dhe KLGJ-në

Deputeti i PS Fatmir Xhafaj ka akuzuar Ministrin e Drejtësisë dhe KLGJ-në se po shkelin ligjin me situatën e krijuar me hartën gjyqësore dhe bojkotin e avokatëve në dy javët e fundit ndaj gjyqeve dhe masave të sigurisë. Ai kërkoi që dy institucionet të japin shpjegime në kuvend për këtë situatë që po dëmton qytetarët. Nga ana tjetër në gjykatën e Tiranës u zhvilluan 10 masa sigurie me avokatë kryesisht ndërsa shoqata e mbrojtëse penalistë kërkoi ndërhyrjen e ministrisë së drejtësisë.

Greva e avokatëve ndaj seancave gjyqësore dhe masave të sigurisë e cila po paralizon gjykatat në vend ka futur në konflikt edhe vetë mazhorancën. Deputeti Fatmir Xhafaj ishte kritik me kryetaren e komisionit të ligjeve Kotilda Bushka për shtyrjen e seancës dëgjimore me ministrinë dhe KLGJ-në lidhur me hartën gjyqësore.

"Përtej asaj se ç'ka mendon Ministria e Drejtësisë dhe KLGJ-ja, ne që jemi këtu jemi përfaqësues të qytetarëve dhe të interesave të tyre para së gjithash. Dhe kjo është gjëja që duhet të na shqetësojë, jemi ne që duhet t'i vëmë ata nën presion për ta përshpejtuar procesin," tha ai.

Xhafaj shkoi më tej duke akuzuar direkt ministrin e drejtësisë dhe këshillin e lartë gjyqësor se janë duke shkelur ligjin

"Edhe Ministria e Drejtësisë dhe KLGJ-ja janë në shkelje të rëndë të ligjit për këtë çështje. U bënë gati dy javë që nuk ka gjyq," tha ai.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Megjithë insistimin e Xhafajt, drejtuesja e komisionit tha se seanca dëgjimore për hartën gjyqësore do të zhvillohet pas 10 ditësh pasi institucionet nuk kishin dhënë mendim për draftin

"Nuk është e vërtetë që është lënë dhe është anuluar mbledhja sepse janë rakorduar data dhe në dakordësi me aktorët e interesuar është lënë që data të organizohet në kuadër të marrjes së të gjitha vendimeve të institucioneve," deklaroi ajo.

Deputeti i opozitës oerd bylykbashi theksoi se bojkoti i avokatëve është treguesi më I qartë se harta gjyqësore nuk është konsultuar.

"Ja ku është prova që konsultim nuk ka," tha ai.

Nga ana tjetër në gjykatën e Tiranës seancat e masave të sigurisë u zhvilluan normalisht me praninë e avokatëve të caktuar kryesisht. Në seancat për 10 persona të ndaluar, gjykata caktoi arrest me burg për njërin prej tyre ndërsa 9 të tjerë u lanë në detyrim paraqitje.

Më herët, avokatët penalistë thanë se do të vijojnë bojkotin por do ti kërkojnë ndërhyrje ministrisë së drejtësisë të ulet me avokatët pasi situata e krijuar mund të ketë pasoja

"Ministri është profesionist dhe e kupton shumë mikrë çdo të thotë moszhvillimi i seancave të sigurimit pa praninë e avokatëve. Është i vetmi në qeverinë shqiptare që kupton pasojat që do rrjedhin nga mospjesmarrja e avokatëve," tha ai.