Bojkoti i avokateve shpëton nga burgu funksionarin e arrestuar për tjetërsimin e lagunës në Lezhë
"Mund të arrestohen persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe duhet të bëhet vleftësimi i ligjshëm i arrestit apo ndalimit dhe nuk ka avokat për të zhvilluar procesin. Për pasojë gjyqtari është i detyruar të vendosë lirimin e personit" pati paralajmëruar avokati në Shkodër.
Ajo që është rreziku më i madh i bojkotit të masave të sigurisë nga avokatët u provua.
Kryeplaku i fshatit Grykë Lumi në Lezhë, akuzuar për tjetërsimin e lagunës së Vainit u bë i pari i arrestuar, të cilit gjykata u detyrua ti hapë qelinë e burgut për shkak të mungesës së mbrojtësit ligjor.
Pjeter Luka doli këtë të premte para togave të zeza në Lezhë, të cilët duke marrë si shembull dhe çështjen Balliu kundër Shqipërisë të zhvilluar në vitin 2005 në Gjykatën e Strasburgut pa praninë e avokatëve, vendosën ta nxjerrin nga burgu.
Hetimi ndaj funksionarit 62-vjeçar do të vijojnë me masën arrest shtëpie.
Ndërkohë në Korçë një zyrtar dhe një fermer të arrestuar për korrupsion me skemën e subvencioneve për bujqësinë e bënë tre herë rrugën nga qelitë e paraburgimit deri në Gjykatën e Korçës për tu përballur me drejtësinë.
Në fund inspektori i Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Abri Pajo dhe fermeri Shaban Zaçe u përballën me drejtësinë pa avokatë.
Togat e zeza vendosën që fermeri të vijojë te hetohet në arrest shtëpie, ndërsa zyrtari në qeli. Çështja i kaloi Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion.
Kryetari i Dhomës së Avokatisë e cilësoi precedent të rrezikshëm dhe në shkelje të ligjit masën e sigurisë pa mbrojtës ligjore për të arrestuarit.
Artan Lena: Njerëzit arrestohen, ndalohen, shkojnë në gjykatë për vlerësim mase arrestimi, ndalimi dhe caktohet masë sigurie pa mbrojtje ligjore. Është në shkelje të hapur, të qartë me Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Dhomat e Avokatisë janë në bojkot kombëtar të proceseve gjyqësore, ndërsa për 10 ditë nuk do të marrin pjesë as në masat e sigurimit personal, në shenje revolte kundër hartës së re gjyqësore.

