Rama krah ministres me burrin "investitor strategjik": Çdo vend ka nevojë për kampionët e saj në ekonomi

Kryeministri Edi Rama doli sot në konferencë krah ministres  së Mbrojtjes Olta Xhaçka ndërkohë që në Kryesinë e Kuvendit ishte mbledhur këshilli i mandatave për të shqyrtuar kërkesën e opozitës e cila kërkon heqjen e mandatit të deputetes për ministren. Shkak është dhënia e statusit investitor strategjik si dhe dhënien në përdorim të bregdetit bashkëshortit të saj, ish deputetit socialits Artan Gaçi.

Rama tha se duhet nxitur të ketë më shumë investitorë strategjikë shqiptarë dhe nënvizoi se nuk ka dhënë asnjë centimetër tokë shteti për familjen e Xhaçkës.

Edi Rama: Unë jam shumë i lumtur që sa më shumë investitorë të huaj të vijnë në Shqipëri. Nuk hyj tek ata që të huajt i shohin si kategoria e parë e shqiptarët kategoria e dytë. Mendoj se çdo vend ka nevojë për kampionet e vet edhe në ekonomi. Kjo e të afërmve me qeverinë është një këngë që nuk e ndryshoj dot aq më tepër në një vend si i yni ku të gjithë dalin të afërm me njëri tjetrin. Nuk kam përgjigje çfarë ti jap kësaj. Dëgjoj lloj lloj shtrembërimesh e afërsish komplet të imagjinuara. Do të doja të kishte edhe më shumë investitorë strategjikë shqiptarë. Por nuk ka më shumë dhe duhet të bëjmë çmos që të ketë edhe më shumë. Investimet strategjike nuk janë bërë vetëm për të huajt por dhe për shqiptarët.  Një pjesë e tyre nuk shkojnë deri në fund pasi proceset janë shumë strikte.

Në rastin konkret unë di të them vetëm kaq. Në të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë që marrin në shfrytëzim një pjesë plazh si rezultat I disponimit të një prone private, një nga këto mijëra subjekte është subjekti në fjalë.

Çfarë duhet të bëjë në këtë rast, meqë subjekti në fjalë është i përbërë nga disa komponentë një nga të cilët është bashkëshorti i ministres dhe kanë një  pronë private si mijëra të tjerë dhe ndryshe nga mijëra të tjerë nuk mund të shfrytëzojnë plazhin përballë pronës private? Nga mënyra si u thuhet shqiptarëve duket sikur qeveria  ka marrë një pronë shtetërore dhe ia ka dhënë bashkëshortit të një ministreje, por ajo që ka ndodhur është ajo që ndodh për mijëra familje shqiptare që kanë shtëpinë, pronën e resortin e tyre dhe marrin në shfrytëzim pjesën përkatëse të plazhit përballë pronës private sepse në të gjithë botën shteti ndjek këtë praktikë. Plazhi të mirëmbahet e pastrohet.

Raporti mes pjesës së plazhit privat dhe si hapësirë publike ka ndryshuar në Shqipëri me këtë qeveri. Para se ta merrnim ne pati uzurpim barbarësh pa pasur as prona private dhe as të drejta, uzurpuan, degraduan dhe degjeneruan. Sot jo se është fushë me lule. Kemi marrë ekstra për menaxhimin. Kemi marrë masa ekstra që sezoni të jetë më i pastër por prapë ka prapë problem por në krahasim me dje është e paprakuesshme.

Tani të kërkosh konflikt interesi do të thotë të kërkosh të zhvesësh nga e drejta e pronës private njerëz që janë në pronën e tyre. Qeveria nuk ka dhënë asgjë, zero, thjesht nuk ka shkelur një të drejtë që buron nga ligji dhe e drejta e pronës private. Ajo që kam kërkuar është të heqin fare këtë pjesë, të fusjes së qeverisë në mes, që të mos kemi  llafe të fukarallekut mendor që prodhon maskarallëk”