Avokati Vishaj kundër bojkotit: Palët të ulen në tavolinë për situatën. Janë 5 mijë në paraburgim që presin shërbim

Avokati Saimir Vishaj, është kundër bojkotit të avokatëve për seancat dhe masat e sigurisë, si shenjë proteste kundër hartës së re gjyqësore.

Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Siklajda Shorja, ai tha se avokatët e kanë të ndaluar me ligj bojkotin, pasi sipas tij një gjë e tillë siç po ndodh në vendin tonë, nuk ndodh në asnjë vend tjetër në botë.

Saimir Vishaj: Si individë vazhdojë, të jem kundër. Bojkoti nuk është rruga ligjore që ne duhet të zgjedhim. Ne e kemi të ndaluar me ligj që nuk duhet të kalojmë në ekstremitet, grevë apo bojkot. Unë u  detyrova nga shumica. Nuk ndodh në asnjë vend të botës. Jam i detyruar që të pranojë vendimin e shumicën. Mendoj se vendimi i dhomës nuk do të jetë i përhershëm por i përkohshëm.

Avokati u shpreh se ndodhen në një situatë shumë të rëndë ndërsa shtoi se nuk kanë probleme vetëm me hartën gjyqësore por edhe probleme të tjera.

Sipas tij avokatët duhet të ulen me institucionet përkatëse për të zgjidhur situatën.

Saimir Vishaj: Janë 5 mijë në gjendje paraburgimi që presin shërbimin ligjor.  Ne jemi në një situatë shumë të rëndë. Ne kemi probleme jo vetëm në hartën gjyqësore por kemi shumë probleme të tjera. Avokatët duhet të gjejnë çelësin për ta zgjidhur. Bojkotit nuk mund t’i japim ngjyrime politike. Mendoj se palët duhet të ulen në tryezë për të paraqitur opsionet në mënyrë që ky bojkot i pakuptimtë të gjej zgjidhje.

Vishaj, tha se problemi duhet të zgjidhet sipas ligjit, pasi ata nuk mund të bojkotojnë në një kohë që u kërkohet shërbimi.

Saimir Vishaj: Kërkesat e Kryeministrit duhet të dëgjohen larg emocioneve. Ne i zgjidhim problemet nëpërmjet ligjit. Ne nuk mund të bojkotojmë në një moment që ofrojmë shërbimin. E di ç’do të thotë të rri një i pafajshëm me masë sigurimi arrest me burg, e ne jemi në bojkot.  Nuk kishte gjë më të rëndë se sa të rri avokati si dëgjues në Gjykatë. Kërkesat tona duhet të shkojnë në institucionin e duhur.